Sporti

Vinicius ishte viktimë e racizmit edhe në Sevilla, futbollisti reagon ashpër: “Njerëzit e tillë duhet të denohen si kriminelë”

10/22/2023 09:18
nga:Lorik J

Real Madrid barazoi 1:1 ndaj Sevilla dhe pas ndeshjes madrilenët kritikuan ashpër arbitrin, ndër të tjera, për shkak se në fund nuk akordoi penallti pasi Navas e pengoi Vinicius në zonën e rreptësisë.

Krahas asaj situate të diskutueshme, anësori brazilian u vu edhe një herë në shënjestër të individëve nga publiku që e ofenduan në mënyrë racore.

Pak më vonë, Vinicius, i cili shpesh ishte në shënjestër të ofendimeve raciste në stadiume, u shfaq në rrjetet sociale, duke uruar Sevillan për reagimin e shpejtë ndaj individëve, por gjithashtu shtoi se kishte parë një video nga e njëjta ndeshje ku një vajzë shfaqte sjellje raciste.

“Unë e përgëzoj Sevillan për reagimin dhe ndëshkimin e shpejtë në një tjetër episod të trishtuar të futbollit spanjoll”, tha Vinicius në një deklaratë.

“Fatkeqësisht, kam akses në një video të një sjelljeje tjetër raciste në ndeshjen e së shtunës, e cila këtë herë u shfaq nga një fëmijë. Është e trishtueshme që nuk ka njeri që ta edukojë atë. Unë investoj shumë në arsimin në Brazil për të rrënjosur qëndrime të ndryshme në qytetarët.

Fytyra e racistit të sotëm është postuar në internet edhe në disa raste të tjera. Shpresoj që autoritetet spanjolle të bëjnë pjesën e tyre dhe të ndryshojnë ligjet për mirë. Këta njerëz duhet të dënohen si kriminelë. Do të ishte një hap i parë i madh në përgatitjen për Kupën e Botës 2030. Unë jam këtu për të ndihmuar. Më vjen keq nëse më duket sikur po e përsëris veten, por ky ishte episodi numër 19. Dhe vazhdon”, shkroi futbollisti i Real Madridit.

/GazetaBlic Sport