Lajme

Vetëvendosje e përçarë edhe në Prizren- “Luftë” për kandidatin për kryetar komune, emrat favorit

06/10/2021 16:14
nga:Gazeta Blic

Jo vetëm dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, ka pakënaqësi në lidhje me atë se kush do të jetë kandidati për kryetar komune.

Gazeta Blic nga burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë vesh se edhe dega e Prizrenit ka telashe në lidhje me emrin e kandidatit për kryetar komune.

Sipas këtyre burimeve, kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka më nuk gëzon mbështetje të strukturave partiake për të garuar edhe për një mandat.

“Strukturat e partisë nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Haskuka ka udhëhequr me qytetin e Prizrenit tash e katër vjet”, tha ky burim.

Megjithatë, siç mëson Gazeta Blic lideri i VV-së ende e sheh si opsionin më të mundshëm për ta rikandiduar Mytaher Haskukën. Pos Haskukës, për Kurtin i preferuar mbetet edhe ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajruallah Çeku.

Megjithatë, këta nuk janë emrat e vetëm që po përfliten si kandidat për kryetar të Prizrenit.

Struktura e degës së kësaj partie në Prizren, po e preferon kryetarin Artan Abrashi, i cili aktualisht është deputet.

I kontaktuar nga Gazeta Blic, Abrashi ka theksuar se ende nuk e kanë vendosur emrin e kandidatit.

Abrashi ka theksuar se ditëve në vijim do të mblidhet kryesia dhe do të vendoset për kandidatin.

“Nuk kemi vendosur akoma. Këto ditë duhet të mblidhet kryesia dhe të vendoset kandidati. Po besoj brenda një periudhe të shkurtë do të vendosim. Kështuqë kur të vij koha do të kemi të qartë kush është kandidati”, thotë Abrashi.

Kontakti me Mytaher Haskukën e Hajrullah Çekun ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, edhe deputetja tjetër nga kjo parti, Drita Millaku publikisht e ka shprehur ambicien e saj për të garuar për të parin e Prizrenit.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Millakut:

Përgjatë historisë gruaja shqiptare luftoi për çdo gjë. Luftoi për zërin e saj për me u dëgjue në çdo udhë ku ajo ka vendosë me ecë, e me lënë gjurmë të cilat kurrë nuk kanë me u fshi. Luftoi për liri, barazi e drejtësi, shkollim e emancipim. Luftoi për me bindë shoqërinë për vlerat e saj.

Për me ardhë në ditët e sotme me u zgjedhë në elitat udhëheqëse të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Që kur kam hyrë në politikë e kam kuptuar se nuk mund të lësh gjurmë suksesi nëse nuk përballesh me padrejtësitë dhe nëse nuk përpiqesh të fitosh mbi këto padrejtësi. E kam kuptuar edhe se sa më shumë u jam mirënjohës, sa më shumë i vlerësojë e i çmojë aq më shumë më shtohet rrethi dhe respekti i miqëve dhe bashkëaktivistëve.

Me 14 shkurt unë si grua dhe si nënë, kandidate për deputete e listës fituese Vetëvendosje jam krenare që isha pjesë e grupit fantastik të grave të Lëvizjes që arritëm të sfidojmë çdo paragjykim, për të qenë të nderuara maksimalisht nga vota popullore.

Përpjekjet për të vazhduar drejt sukseseve dhe kërkesat e shumë miqëve dhe aktivistëve të Lëvizjes më japin kurajo e guxim që të bëjë hapin e radhës.

Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës para organeve të Lëvizjes dhe para aktivistëve dua të paraqes kandidaturën time për kryetare të komunës së Prizrenit.

E dua Prizrenin, çdo rrugicë, çdo lagje, çdo fshat e çdo skaj të tij. Jetoj çdo ditë pranë historisë, harmonis, kulturës e traditës së këtij qyteti historik.

Nëse më jepet mundësia të garojë si kandidate e Levizjes e jap fjalën dhe besën se me tërë qenien time do ti përkushtohem punës për ti shërbyer me ndershmëri të gjithë qytetarëve të Prizrenit pa dallim rajoni, kombësie dhe feje.

Do të isha e gatshme të formojë ekipën e suksesit duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit njerëzve më të zotë të këtij vendi, historianëve, profesorëve, arkeologëve, arkitektëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve, mjekëve, artistëve, fermerëve……

Do të isha e gatshme që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, me përfaqësuesit fetar dhe me diasporën.

Do të isha e gatshme që të jem derë e hapur për çdo shqetësim, sugjerim, kritikë e mendim ndryshe qytetar.

Objektivi i imi personal do të ishte bashkimi i aftësive, vlerave dhe ideve të ndryshme për me krijue së bashku diçka të mrekullueshme.

Me respekt

Drita Millaku

Flasin nga Vetëvendosje në Prizren: Tregojnë nëse kanë gjetur kandidatin për kryetar komune