Lajme

Vendimi i Apelit për tarifat e rrymës, Visar Ymeri ka disa pyetje për ZRrE

05/18/2022 17:15
nga:Q R

Analisti Visar Ymeri, duke folur për vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e ka aprovuar si të bazuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e tarifave të reja të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka thënë se ZRrE-ja duhet të jetë më transparente për sa i përket pasojave të një vendimi të tillë.

Ymeri në një prononcim për GazetaBlic duke ngitur disa pyetje rreth asaj se çka do të ndodhë pas vendimit me qytetarët të cilët kanë paguar me tarifa të larta, ka thënë se edhe gjykata është dashur ta qartësoj këtë vendim.

“Natyrisht që edhe ZRrE sikur çdo institucion tjetër është e obliguar t’i zbatojë vendimet e gjykatës. Por për më tepër se kaq ZRrE duhet të jetë më transparente dhe më shpjeguese për sa i përket pasojave të një vendimi të tillë. Gjykata ka vendosur që të shtyhet vendimi i ZRrE-së i datës 9 shkurt për tarifat e reja për energji elektrike. Këto tarifa të reja qytetarëve u janë aplikuar në fatura që prej asaj date”, ka thënë ai.

Ndër pyetjet që ai ka, është edhe se a do të  kthehen parat e paguara përmes ndonjë vendim, apo çka ndodh me to.

“Tash çka ndodh me këto fatura? A na kthehen paratë e paguara përmes një vendimi, zbatimin e të cilit gjykata ka urdhëruar të shtyhet? Apo i bie që tash e tutje nuk do t’i paguajmë ato çmime. Të mos harrojmë se më herët e kemi pasur edhe një vendim tjetër të gjykatës që të na kthehen 40 milionë euro para të paguara për ta mbuluar koston e shpenzimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të vendit. A na janë kthyer ato? Si?”, deklaron ai.

Tutje Ymeri ka thënë se “Edhe gjykata është dashur ta qartësoj këtë vendim të vetin.Çka ndodh kur të merret vendimin përfundimtar gjyqësor për rritjen e tarifave nga ZRrE? Nëse anulohet ai atëherë vazhdojmë me tarifat e vjetra. Por nëse ai shpallet i ligjshëm nga Gjykata, atëherë prej cilës datë aplikohet? Prej datës së vendimit të Gjykatës? Apo prej datës kur është nxjerrë vendimi nga ZRrEE? Që i bie prej datës 9 shkurt”, deklaron ai.

Gjykata e Apelit e ka aprovuar si të bazuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e tarifave të reja të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Në njoftimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se ankesa e ZRrE-së është refuzuar si e pabazuar, teksa në njoftim thuhet se gjykata gjithashtu gjeti se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik.

“Përkundrazi, shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi, më së shumti i shërben ruajtjes së interesit publik, përkatësisht të interesit të ekonomive familjare në Kosovë si konsumatorë shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ky është vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit të ZRRE-se për shtrenjtimin e tarifave të rrymës