Lajme

Ky është vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit të ZRRE-se për shtrenjtimin e tarifave të rrymës

05/18/2022 15:54
nga:N M

Gjykata e Apelit e ka aprovuar si të bazuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e tarifave të reja të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Në njoftimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se ankesa e ZRrE-së është refuzuar si e pabazuar, teksa në njoftim thuhet se gjykata gjithashtu gjeti se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik.

“Përkundrazi, shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi, më së shumti i shërben ruajtjes së interesit publik, përkatësisht të interesit të ekonomive familjare në Kosovë si konsumatorë shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ndërsa, drejtori i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu tha për Klankosova.tv se ata [ZRrE] do ta respektojnë këtë vendim.

Më poshtë mund të gjeni vendimin e plotë të Gjykatës së Apelit në lidhje me anulimin e vendimit të ZRrE-së për tarifat e reja:

GJYKATA E APELIT E KOSOVËS – Departamenti për Çështje Administrative, në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët: Delushe Halimi kryetare e kolegjit, Mehmet Ndrecaj dhe Hajriz Hoti, anëtar, në konfliktin administrativ të paditësit-propozuesit P…(P..), me seli në Prishtinë, përfaqësuar nga B.XH., kundër të paditurës/kundërpropozueses Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë, të cilën e përfaqëson Ymridin Misini ekspert ligjor dhe Ymer Rudari ekspert i tarifave në ZRRE, me bazë juridike, anulim i vendimit nr.077/22 të datës 09.02.2022, me propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, duke vendosur lidhur me ankesën e të paditurës, të ushtruar kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.656/22, të datës 08.04.2022, në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 17.05.2022, mori këtë:

A K T V E N D I M

Refuzohet si e pa bazuar ankesa e të paditurës-kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.656/22, i datës 08.04.2022 vërtetohet.

A r s y e t i m i

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me Aktvendimin e ankimuar të në pikën I të dispozitivit ka vendosur:

APROVOHET si i bazuar propozimi i paditëses/propozueses P…me adresë në rrugën “…”, nr.., Prishtinë, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm B.XH.. Në pikën II.

SHTYHET ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar me datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses.

Kundër këtij Aktvendimi, ka ushtruar ankesë e paditura, me të cilën e ka kundërshtuar Aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore të ligjit për Konfliktet Administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore, shkeljen e dispozitave ligjore të Ligjeve të sektorit të energjisë dhe akteve nënligjore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata e Apelit, të aprovon si të bazuar ankesën e të paditurës dhe aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje e Administrative ta anuloj apo të njëjtin ta kthej në rishqyrtim dhe rivendosje.

Kolegji i Gjykatës së Apelit, shqyrtoi shkresat e lëndës, aktvendimin e ankimuar, pretendimet ankimore, dhe pas vlerësimit të tyre në kuptim të nenit 49 të Ligjit për Konfliktet Administrative (LKA), lidhur me nenin 194 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK), të aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së, ka gjetur se: Ankesa është e pabazuar.

Gjykata e shkallës së parë me Aktvendimin e ankimuar, e ka aprovuar kërkesën e paditësit/propozuesit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues, me arsyetimin se paditësi nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, e ka bërë të besueshme kërkesën e tij, se ekzekutimi i vendimit të goditur me padi do t’i sjellë dëm, i cili dëm vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimit, nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës së kundërt.

Në këtë kuptim gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet nga neni 22.2 dhe6, i Ligjit për Konfliktin Administrativ, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues. Këtë vlerësim gjykata e mbështet në faktin se paditësi ka ofruar prova të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit do ti sillte dëm paditësit i cili dëm vështirë do të riparohej.

Gjykata po ashtu gjeti se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar me këtë padi, nuk është në kundërshtim me interesin publik. Përkundrazi, shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi, më së shumti i shërben ruajtjes së interesit publik, përkatësisht të interesit të ekonomive familjare në Kosovë si konsumatorë shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike.

Shtyrja e ekzekutimit të vendimit, do të mundësoj në masë të nevojshme, evitimin e shkaktimit të pasojave financiare për qytetarët, përkatësisht ekonomitë familjare të cilat momentalisht janë duke paguar çmim më të lartë të energjisë elektrike në raport me periudhën para marrjes së këtij vendimi nga ana e të paditurës.

Në këtë drejtim, gjykata njohu faktin që edhe e paditura/ kundër propozuesja, në përgjigjen e dhënë me datë 07.04.2022, faqe 12, përmes këtij paragrafi “E paditura vlerëson se pretendimet e tilla janë të paqarta dhe konfuze për faktin se ZRRE si palë e paditur nuk është subjekt që do të afektohej në rast të shtyrjes së këtij vendimi, po e njëjta është Institucion Publik i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ndonëse i trajton pretendimet e paditëses/propozueses si konfuze, megjithatë konfirmon mos shkaktimin e asnjë pasoje me rastin e shtyrjes së ekzekutimit të këtij vendimi për palën kundërshtare, në këtë rast të paditurën/kundërpropozuesen.

Mbi bazë të këtyre gjetjeve, gjykata erdhi në përfundim të qartë dhe të pakontestueshëm se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar nuk do t’i sillte asnjë dëm palës kundërshtare dhe as personave të interesuar dhe kjo për faktin që nuk është paraqitur asnjë argument që e paditura do të mund të dëmtohet në çfarëdo forme.

Njëjtë, nuk do të dëmtohen as palët e interesuara, përkatësisht qytetarët tjerë, pikërisht për faktin se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi, i shërben mbrojtjes së interesave publike të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht qytetarëve bartës të ekonomive familjare, ndaj të cilëve zbatohet vendimi i kontestuar me këtë padi.

Në këtë vijë, rrjedhimisht nuk do të dëmtohen as kategoritë tjera të konsumatorëve të energjisë elektrike, ndaj të cilëve nuk aplikohen tarifat e reja e të ngritura të energjisë elektrike. Kolegji i Gjykatës së Apelit, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e tillë të gjykatës së shkallës së parë, nga se edhe sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë në nenin 22 par.2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Me këtë dispozitë juridike është paraparë që shtyrja mund të bëhet: nëse ekzekutimi i aktit administrativ do ti sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do ti sillte ndonjë dëm palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar.

Në rastin konkret propozuesi-paditësi me padi ka hap konfliktin administrativ për shkak të anulimit të vendimit të paditurës, me nr.V-1489-2022 të dt.08.02.2022, dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, me të cilin vendim e paditura në pikën I të dispozitivit ka vendosur “aprovohen tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të Furnizimit me Shërbim Universal, që do të mblidhen nga data 09 shkurt 2022 deri në shqyrtimin e ardhshëm tarifor.

Në pikën II. Struktura e Tarifave me pakicë e energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të Furnizimit me Shërbim Universal, e cila do të zbatohet nga Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU), është paraqitur në tabelën e mëposhtme të këtij vendimi:” pra paditësi ka kërkuar që i njëjti vendim të shtyhet deri në përfundimin e procedurës sipas padisë, me arsyetim se me ekzekutimin e vendimit të kontestuar propozuesit, do t’i sillte dëm të konsiderueshëm dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk i shkakton dëme palës kundërshtare dhe personave të interesuar.

Edhe kolegji i apelit njëjtë si gjykata e shkallës së parë vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit i shërben interesit të ekonomive familjare në Kosovë, si konsumator shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike, evitimin e shkaktimit të pasojave financiare për qytetarët.

Pretendimet ankimore të palës së paditur, të cekura si më lartë, dhe të shtjelluara si në arsyetim të ankesës për shkeljet e pretenduara nga gjykata e shkallës së parë, kolegji i vlerëson se janë të pa bazuara dhe të pa qëndrueshme për vendosjen e kësaj çështje në mënyrë tjetër, sepse nuk dëshmohet se aktvendimi i goditur është i nxjerrë me shkelje të dispozitave të procedurës siç pretendon e paditura në ankesë.

Ngase edhe vlerësimi i kolegjit është se janë përmbushur kushtet ligjore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ankimuar, siç parashihet në nenin 22 par.2 dhe 6 të LKA-së. Mbi këtë gjendje të fakteve kolegji gjen se Gjykata Themelore në Prishtinë -Departamenti për Çështje Administrative, në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale, me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së, dhe se nuk është cenuar ligji në dëm të ankuesit, me rastin e aprovimit të propozimit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar.

Meqë në këtë rast e paditura në ankesën e ushtruara nuk ka bërë të besueshme me asnjë provë pretendimet e saj. Sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kjo gjykatë.

Andaj, ankesa si e tillë refuzohet, ndërsa aktvendimi i ankimuar vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm. Nga sa u tha më lartë e në bazë të nenit 209 par.1 nën b) të LPK-së, të aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së, u vendos si në dispozitiv të këtij aktvendimi.