Sporti

Vedran Bosnic në mbështetje të Pejës: I uroj gjithë të mirat ish skuadrës time në ndeshjen ndaj Trepçës

05/12/2023 16:44
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Trepçës e ka fituar ndeshjen e djeshme ndaj Pejës në ‘Minatori’.

Mitrovicasit e kanë ritkhyer epërsinë e ndeshjeve të fituara në 2 me 1, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshja e katërt mes dy skuadrave zhvillohet të dielën në palestrën ‘Karagaçi’, atje ku herën e fundit Peja kishte fituar bindshëm ndaj Trepçës.

Në rast se Trepça e fiton ndeshjen, atëherë do ta festonte titullin kampion, kurse në rast të fitores së Pejës, gjithçka do të vendoset më pas në ndeshjen e pestë.

Një ndër basketbollistët më të mirë i huaj që ka luajtur në Kosovë, Vedran Bosnic e ka motivuar ish skuadrën e tij me një mesazh ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai i uroj gjithë të mirat Pejës, kurse pati fjalë të mëdha edhe për kohën që ka luajtur në basketbollin kosovar.

“Gjithmonë me kënaqësi i kujtoj kujtimet e mia të mrekullueshme në Kosovë dhe Pejë, i uroj gjithë të mirat ish-skuadrës sime dhe tifozëve të saj në ndeshjen e radhës finale”, tha Bosnic.

Kujtojmë që Bosnic e ka vazhduar karrierën e tij si trajner në basketboll, duke arritur edhe rezultate të shkëlqyeshme.

/GazetaBlic Sport/