Lajme

Vdes një fëmijë nga zjarri që kaploi një banesë në Gjakovë

06/20/2022 09:22
nga:Q R

Të hënën pas mesnate një banesë është përfshirë nga zjarri, ku si pasojë ka ndërruar jetë një 11-vjeçare në Gjakovë.

Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipi mjekësor që kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Elezaj ka thënë se si pasojë e zjarrit janë evakuar banorët e ndërtesës dhe pas shuarjes së zjarrit është gjetur edhe trupi i viktimës.

“Me datë 20.06.2022 rreth orës 01:37, Stacioni Policor-Gjakovë ka pranuar informatë për një zjarr që kishte përfshire një banesë në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë. Patrulla policore ka konfirmuar zjarrin ku ishte duke u djegur një banesë në një bllok banesor. Zjarrfikësit kanë dalë në vend e ngjarjes dhe është bërë evakuimi i banorëve. Në banesën në fjalë pas shuarjes së zjarrit është gjendur trupi i viktimës femër/kosovare lindur në vitin 2011 për të cilën ekipi mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj”, ka thënë Elezaj.

Trupi i pa jetë është dërguar për obduksion.

“Njësitet relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit me rekomandimin e të cilët është iniciuar rast “Hetim i Vdekjes” dhe “Zjarrvenje”. Trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Elezaj.