Lajme

Vazhdon skandali i përgjimit në Greqi, në listë 33 politikanë, gazetarë dhe biznesmenë

11/07/2022 22:25
nga:G B

Skandali i përgjimit në Greqi ka marrë një tjetër kthesë ditët e fundit me publikimin e një liste të gjatë emrash të zyrtarëve shtetërorë, gazetarëve dhe biznesmenëve.

Sipas gazetës greke Documento, rreth 33 persona janë gjetur të kenë gjurmë të spiunit ilegal Predator në pajisjet e tyre, duke përfshirë disa anëtarë të kabinetit të qeverisë konservatore të Demokracisë së Re dhe anëtarët e familjeve të tyre, politikanë në partinë kryesore opozitare Syriza, gazetarë dhe biznesmenë kryesisht nga sektori i medias.

Shumica e zyrtarëve të kontaktuar nga gazeta janë shprehur se nuk ishin në dijeni se ishin në shënjestër ose nuk do të komentonin. Mes personave në listë janë edhe ministra, si ministri i financave, ministri i jashtëm, dy ish-ministra të mbrojtjes civile, ministri i zhvillimit, ministri i punës dhe ai i turizmit, së bashku me bashkëshortet e tyre, lideri Nikos Androulakis dhe gazetari Thanasis Koukakis.

Në një deklaratë  për mediat zëdhënësi i qeverisë, Giannis Oikonomou është shprehur se raporti nuk ishte i bazuar në provat, por shtoi se “autoritetet duhet ta hetojnë plotësisht atë, veçanërisht gjyqësori grek”.

Skandali i përgjimeve të Greqisë filloi të shpaloset në verë kur Androulakis zbuloi një tentativë përgjimi Predator në telefonin e tij. Në gusht, qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis pranoi se Androulakis kishte qenë nën mbikëqyrjen e shtetit (megjithëse jo me Predator), një veprim që ai e quajti të ligjshëm, por të gabuar.

Që atëherë, saga është shndërruar në një thriller spiunazhi që ka përfshirë spiunë që janë vendosur në telefonat e një rrjeti politikanësh dhe gazetarësh. Athina mohon të ketë përdorur ose blerë ndonjëherë programin spiun të paligjshëm.

Kryetari i Komitetit të PEGA, Jeroen Lenaers, i bëri thirrje Athinës që të hetojë tërësisht akuzat për abuzim me përgjimin. Ai shtoi se qeveritë e Qipros dhe Greqisë kanë bërë një përpjekje për të bashkëpunuar aktivisht me komitetin, duke iu përgjigjur pyetjeve të tij dhe duke ndarë propozimet e tyre për reforma që mund të forcojnë të drejtat themelore të qytetarëve, raportojnë mediat e huaja.

Ndërkohë, një raport tjetër i uebsajtit të pavarur hetimor “Inside Story” thoshte se ditët para mbërritjes së Komitetit PEGA në Athinë, një ekip i FBI-së nga SHBA ishte në kryeqytetin grek për të hetuar se deri ku është përhapur softueri i paligjshëm i përgjimit dhe kush e ka trafikuar.

“Administrata greke nuk kishte njohuri për vizitën”, tha një zyrtar qeveritar.