Është duke vazhduar aksioni i Departamentit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, për arrestimin e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, raporton Gazeta Blic.
Aksioni është duke vazhduar edhe në disa lokacione tjera nëpër qytete të Kosovës.
Gazeta Blic merr vesh se tashmë kanë nisur operacione të ndara në komunat: Podujevë, Viti, Fushë-Kosovë, Istog dhe Pejë.
Aty po bastisen zyret e zyrtarëve të dyshuar për ryshfet në subvencione.
Ky aksion i madh nisi mëngjesin e së mërkurës, fillimisht në zyret e ministrisë së Bujqësisë.
Shtatë persona u nxorrën në pranga nga zyret e ministrisë së Bujqësisë.
Deri në fund të aksionit nëpër këto komuna që u përmenden më lartë, pritet që numri i të arrestuarve të shkojë në 23.
Mediat lokale në Istog, raportuan se tashmë kanë nisur arrestimet e zyrtarëve të sektorit të Bujqësisë, në këtë komunë.
Siç raportojnë mediat lokale, nën pranga atje ka përfunduar Daut Kabashi, që është zyrtar për Bujqësi në Istog.
Gazeta Blic do ju mbajë të informuar lidhur me këtë aksion.


