Lajme

Vaksinimi anti-COVID, Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët me orarin e ri

12/25/2021 08:09
nga:M K

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të ketë orari të ri për vaksinimin anti-COVID.

MSH i informon qytetarët se bazuar në Planin e veprimit për vaksinim të qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19 (i përditësuar), orari për ekipet e vaksinimit në njësitë e vaksinimit do të jetë prej tetë orësh (nga ora 07:00 – 15:00).

Ndërkohë, ekipet mobile të vaksinimit do të jenë të pranishme në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës dhe në pikat kufitare tokësore (me dy ndërrime), kurse në Qendrën Tregtare “Albi Mall” në Prishtinë qytetarët mund të vaksinohen nga ora 12:00-20:00.

Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në vend dhe në rajon me COVID-19 dhe nevojën për vaksinim të plotë të popullatës, MSh u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër coronavirusit.

Gjithashtu, MSh rikujton faktin që qytetarët me rastin e vaksinimit kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit mund të vaksinohen njëkohësisht edhe me vaksinën e Gripit sezonal.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 1.530 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.662.553 doza të vaksinës.

Deri më sot 779.481 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.