Lajme

Ulpiana Fest rikthen antikitetin

09/16/2023 20:35
nga:Sh R

Bashkimi i antropologjisë, arkeologjisë e etnografisë, do t’ia kthejnë Ulpianës antikitetin duke gërshetuar vlerat moderne me ato të mesjetës, që ngërthejnë vlerat e trashëgimisë kulturore.

Përjetimi i copëzave të antikitetit, veshjet, recetat ushqimore, lojërat e vallet, zejet artizanale e shumë të tjera nga tradicionalja, do të ringjallin Ulpianën e lashtë sonte e nesër.

Veç këtyre nuk do të mungojë as shfaqja për të dhuruar spektakël të frymëzuar nga lashtësia.

Me këtë festival, i cili është i pari i këtij lloji në vend, po synohet të zgjohet kureshtja e qytetarëve mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore të Ulpianës dhe arkeologjisë.

Arkeologë e studentë do të jenë në dispozicion për të ofruar guida rreth lokalitetit Ulpiana.

Kjo ngjarje u organizua nga OJQ “ET-G”, në bashkëpunim me Departamentin e Antropologjisë si dhe u financua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.