Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar sot se Projekt-kodi Civil pritet të hidhet sërish në votim gjatë këtij viti në Kuvend.
Haxhiu është shprehur optimiste se kësaj here do ta ketë edhe përkrahjen e deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje që herën e kaluar kanë votuar kundër.
Fjolla Ujkani, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje që ka votuar kundër Kodit Civil ka folur për “Gazeta Blic”, pas deklaratës së Ministres Haxhiu.
Ujkani tha se nëse Kodi vjen i njëjtë pa ndryshimet që i kanë kërkuar edhe qëndrimi nuk ndryshon por nëse ka ndryshime në raport me kërkesat që kanë patur do të ketë edhe lëvizje nga ana e tyre.
“Draft-projektin e Kodin ne ende nuk e kemi pa si është i versionit të ri. Kuptohet se nëse Kodi vjen i njëjtë pa ndryshime, pa ato kritikat që i kemi, normal që qëndrimi është i njëjtë nuk ndryshon. Projektkodi që vjen i ri nuk e kemi pa dhe nuk e kemi shqyrtu ende, në momentin që vjen ne kemi me e pa, kemi me shqyrtu dhe mandej shohim. Nëse ka ndryshime me ato kërkesat që i kemi pas ne që kemi qenë deputetë kundër, normal që ka me pas edhe lëvizje” tha Ujkani për “Gazeta Blic”.

Fjolla Ujkani, LVV
Ministrja e Drejtësisë Haxhiu ka deklaruar se Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe për integrimin në BE, sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Siç jeni në dijeni, Kodi Civil është në agjendën legjislative, është një dokument i rëndësishëm që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të njeriut. Unë nuk mendoj që ka qenë e drejtë që janë marrë vetëm me një nen sepse trajton shumë institute, është thjesht në interes të qytetarëve të Kosovës, prandaj të gjitha partitë politike, mazhoranca e opozita e kanë për obligim që ta mbështesin atë, megjithatë ne gjatë kësaj kohe kemi qenë në diskutime me Grupin Parlamentar, me deputetët të cilët kanë pasur mendime të ndryshme nga atë që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe, gjegjësisht brenda këtij viti në momentin kur do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar”, ka thënë ajo, raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit, do t’i kemi edhe votat e deputetëve të VV-së që ishin kundër
Deklarohet Musliu-Shoshi, tregon se a do ta votojë Kodin Civil nëse vjen sërish në Kuvend
Pal Lekaj: Nuk e votojmë Kodin Civil, kemi qëndrim të partisë për këtë çështje!


