Sporti

Udhëheqësi i ‘Milan Club Albania’, Elton Guranjaku flet për kualifikimin emocionues të “Rossonerëve” në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve

04/19/2023 09:53
nga:Mergim Rreci

Skaudra e Milanit e ka siguruar gjysmëfinalen e madhe në Ligën e Kampionëve.

Kuqezinjtë barazuan 1-1 ndaj Napolit, ndërsa siguruan kalimin në gjysmëfinale pas fitores 1-0 në “San Siro”.

Hera e fundit që Milani arriti në gjysmëfinale të turneut ishte në vitin 2007. Në atë Champions League, klubi italian mundi Liverpool-in në finale (2:1) dhe mori titullin e kampionit të Evropës.

Kalimi në gjysmëfinale ishte një festë e madhe për të gjithë tifozët e kësaj skuadre, duke përshfirë këtu edhe tifozët shqiptarë, të cilët janë në masë të madhe simpatizues të ekipit italian.

Udhëheqësi i tifo-grupit të madh shqiptar, ‘Milan Club Albania’, Elton Guranjaku tha për ‘GazetaBlic Sport’ se mbrëmja e kaluar ishte e mbushur me emocione të forta, emocione këto që mungonin që një kohë të gjatë në këtë kompeticion.

Mbrëmja e djeshme ishte një nga ato netët ku rikthehen emocionet e forta në Champions, Milanit i kanë munguar shumë këto momente në këtë kompeticion, momente që i kemi përjetuar gjatë në historinë kuqezi, por me rikthimin e Paolo Maldinit si drejtues, po bëhen realitet”, tha fillimisht ai.

Më pas, Guranjaku u pyet se a do të ketë një organizim të madh të grupit për të udhëtuar në ‘San Siro’ për gjysmëfinale, atje ku e konfirmoi këtë gjë.

Milan Club Albania ka organizuar gjithmonë evente të jashtëzakonshme këto dy sezonet e fundit. Udhëtime, organizime si në Tiranë dhe Milano, dhe normalisht këtë gjysmëfinale jemi duke u organizuar si në Tiranë dhe për udhëtimin tonë në Milano që nuk do të mungojë“, përfundoi Guranjaku.

Kujtojmë që Milani do ta mësojë sonte kundërshtarin e saj në gjysmëfinale, me Interin dhe Benfican që do të përballen në “Giuseppe Meazza”.

 /GazetaBlic Sport/