Skuadra e Strugës është shpallur edhe zyrtarisht kampion në Maqedoninë e Veriut në futboll.
Ekipi shqiptar që u themelua para nëntë vitesh arriti suksesin historik dje, ku edhe matematikisht u shpall kampion i edicionit 2022/23, shkruan GazetaBlic Sport.
Bunjamin Shabani, futbollisti kyç i Strug Trim Lum, thekson se ky sukses i arritur është diçka e madhe, duke pasur parasysh se kundërshtar direkt kishin dy ekipe shumë të forta si Shkëndija e Shkupi.
“Normalisht është një sukses i madh dhe historik për një ekip të ri si Struga. Ndihemi shumë krenar për këtë sukses kur dihet që konkurrent kishim ekipe shumë të forta si Shkëndija dhe Shkupi”, tha fillimisht Bunjamin Shabani për ‘GazetaBlic Sport’.
Tashmë si kampion i Maqedonisë, Bunjamin Shabani me Strugën do paraqiten edhe në kualifikimet e kompeticioneve evropiane, ku futbollisti thotë se nuk do ndalen dhe do tentojnë që të shkruajnë historinë.
“Edhe këtë vit ishim tri ekipe shqiptare konkurrente për titull që është diçka e jashtëzakonshme dhe vitin tjeter kemi edhe dy ekipe më shumë në Superligë. Shpresojmë që atë që treguam gjatë gjithë kampionatit ta tregojmë edhe në Europë dhe të përfaqësohemi sa më mirë pse jo edhe me histori edhe në Europë”, përfundoi Shabani.
/GazetaBlic Sport


