Arlind Veliu, mbrojtësi i talentuar kosovar ishte protagonisti kryesor në ballafaqimin Dukagjini – Malisheva.
Veliu realizoi golin e vetëm në këtë duel, teksa ia dhuroi tre pikë tejet të rëndësishme Malishevës në një transfertë shumë të vështirë, si ajo në Klinë.
Mbrojtësi 22 vjeçar thotë se ndihet tejet i lumtur për këtë start të mrekullueshëm të sezonit 2023/24.
“Ndihem jashtëzakonisht mirë që e filluam sezonin me fitore. Ishte diçka e bukur për mua të shënoj golin e fitores. Jemi shumë të motivuar dhe maksimalisht të përgatitur për këtë sezon, duam të vazhdojmë me paraqitje pozitive. Shpresojë që sezoni të vazhdojë sikurse në ndeshjen e parë, pra me fitore dhe të tregojmë se jemi ekip shumë serioz. Atmosfera brenda skuadrës është mjaft e mirë – teksa neve na mbetet vetëm të punojmë dhe t’i arrijmë objektivat që kemi si skuadër”, tha fillimisht Arlind Veliu për ‘GazetaBlic Sport’.
Futbollisti cilësor i Malishevës u shpall lojtari më i mirë i javës, gjë për të cilën ndihet mjaft mirë – por edhe falënderon shokët e ekipit dhe trajnerin.
“Sa i përket çmimit të fituar, poashtu ndihem shumë mirë për vlerësimin, por një gjë të tillë nuk do të mund ta arrija pa angazhimin e bashkëlojtarëve dhe punën e trajnerit, andaj i falënderoj”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


