Sporti

U bë kampion, realizoi 16 gola dhe bëri 6 asistime me Feronikeli 74′, Muhamet Hyseni: Jam shumë i lumtur, ishte sezoni më i mirë i imi

05/22/2023 12:25
nga:Lorik J

FC Feronikeli ’74 është shpallur dje kampion i Ligës së Parë në Grupin A për edicionin 2022/23 dhe vitin e ardhshëm do të garojë në Superligën e Kosovës, pra në edicionin 2023/24.

Me barazimin ndaj A&N, Feronikeli siguroi edhe zyrtarisht vendin në Superligë për vitin tjetër.

Sulmuesi i Feronikeli 74′, Muhamet Hyseni ishte padyshim një nga më meritorët për këtë arritje të ekipit nga Drenasi, pasi kishte paraqitje të shkëlqyeshme vazhdimisht në Ligën e Parë.

Hyseni realizoi 16 gola dhe asistoi në 6 raste në këtë stinor, duke pasur shifra fantastike që e ndihmuan ekipin në arritjen e objektivit.

Futbollisti shprehet tejet i lumtur që skuadra e tij e arriti titullin kampion dhe vitin tjetër do garojë në elitën e futbollit kosovar.

“Jam shumë i lumtur që fituam titullin dhe dolëm kampion dhe për faktin se nga viti tjeter do të luajmë në Superligë. Ka qenë një sezon i gjatë dhe i mundimshëm sepse kishim fond të vogël të lojtarëve, por me përkushtimin e gjithë klubit, duke filluar nga kryesia, stafi i trajnërve të cilët e kanë bërë një pune të mrekullueshme në krye me trajnerin Granit Begolli dhe gjithë futbollistët, kemi arritur të perfundojmë kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë arritje”, tha fillimisht Muhamet Hyseni për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai e cilësoi këtë sezon si më të mirin në aspektin personal, shkaku i golave dhe asistime që bëri.

“Po, padyshim që mund ta konsideroj si sezonin më të mirë në aspektin personal, për vet faktin që e përmbyllëm sezonin në menyrën më të mirë të mundshme, me ç’rast me kontributin tim dhe përkrahjen e bashkëlojtarëve të ekipit arrita të realizoj 16 gola duke ndihmuar ekipin që të dal kampion dhe kësisoj përmbush objektivin sezonal”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport