Sporti

Tyson Fury rrëfen betejën me shëndetin mendor: U diagnostikova me skizofreni

11/23/2026 17:26
nga:L J

Boksieri britanik, Tyson Fury ka zbuluar se është diagnostikuar me skizofreni dhe çrregullim bipolar pas triumfit ndaj Wladimir Klitschko në vitin 2015, kur fitoi titullin e kampionit të botës në peshat e rënda.

Në një dokumentar të ri të Netflix, që publikohet të premten, Fury dhe bashkëshortja e tij, Paris, rrëfejnë periudhën e vështirë që pasoi suksesin e tij në ring.

Boksieri tregon se përjetonte ankth dhe depresion të rëndë, ndërsa dëgjonte zëra në kokë që e kërcënonin atë dhe familjen e tij. Në qershor të vitit 2016, ai u shtrua në spital me dyshimin për një sulm në zemër, por më pas iu nënshtrua edhe vlerësimeve psikiatrike, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte sikur të jetoja në ferr”, rrëfen Fury.

Pas fitores ndaj Klitschkos, ai kishte shtuar ndjeshëm peshë dhe ishte përballur me varësinë nga alkooli dhe droga. Sipas tij, për vite me radhë nuk kishte arritur të gjente qetësi dhe kishte nevojë për ndihmë profesionale.

Një kthesë në jetën e tij erdhi në vitin 2017, kur vendosi të ndryshonte stilin e jetesës, t’i kushtohej më shumë familjes dhe të rikthehej në stërvitje.

Përpjekjet e tij kulmuan në vitin 2020, kur mposhti Deontay Wilder dhe fitoi sërish titullin e kampionit të botës.

Ndërkohë, Fury po përgatitet për përballjen e shumëpritur me bashkëkombësin Anthony Joshua, e planifikuar të zhvillohet më 11 dhjetor në Cardiff dhe që do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix.