Gjyqtarët që do të ndajnë drejtësinë në Kupën e Botës 2026 do të përfitojnë pagesa më të larta se në edicionet e mëparshme.
Sipas raportimeve të mediave britanike, shpërblimi bazë për çdo gjyqtar kryesor do të jetë rreth 86 mijë euro, një shumë që rezulton gati dy herë më e lartë krahasuar me atë të Botërorit të vitit 2014, transmeton GazetaBlic Sport.
Përfitimet financiare nuk ndalen vetëm te pagesa bazë. Arbitrat që do të caktohen në fazat me eliminim direkt të kompeticionit do të marrin bonuse shtesë, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre totale gjatë turneut. Në Kupën e Botës të zhvilluar në Katar në vitin 2022, gjyqtarët kishin përfituar rreth 60 mijë euro për pjesëmarrjen e tyre.
Përveç gjyqtarit kryesor, edhe ndihmësit e tij do të shpërblehen me pagesa shtesë në rast se vazhdojnë të gjykojnë ndeshje në raundet pas fazës së grupeve, duke filluar nga 1/16-at e finales.
Për edicionin e vitit 2026, FIFA ka përzgjedhur 52 arbitra kryesorë, 88 arbitra asistentë dhe 30 arbitra VAR, të cilët do të angazhohen në 104 ndeshje të turneut. Krahasuar me Kupën e Botës “Katar 2022”, numri i ndeshjeve është rritur me 41.
/GazetaBlic Sport/


