Lajme

Trump paralajmëron se protestat në paradën e ushtrisë do të përballen me forcë

06/11/2025 08:00
nga:G B

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të martën qytetarët që të mos protestojnë gjatë paradës ushtarake që do të mbahet këtë fundjavë në Uashington, për të shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane.

“Për ata që duan të protestojnë, do të përballen me një forcë shumë të madhe,” tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Agjencitë e zbatimit të ligjit po përgatiten për qindra mijëra pjesëmarrës në paradën e së shtunës, tha të hënën Matt McCool, Agjent Special i Shërbimit Sekret të SHBA-së. Ai njoftoi se mijëra agjentë, oficerë dhe specialistë nga e gjithë vendi do të jenë të dislokuar për sigurinë e ngjarjes.

FBI dhe Departamenti i Policisë Metropolitane kanë thënë se nuk ka ndonjë kërcënim të besueshëm ndaj ngjarjes.

Një zëdhënës i Shërbimit Sekret konfirmoi se të paktën nëntë leje janë dhënë për protesta atë ditë.

Gjatë një deklarate të paplanifikuar në Zyrën Ovale, Trump foli gjithashtu për vendimin e tij për të dërguar 4,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa në Los Anxhelos, pas protestave që shpërthyen si reagim ndaj bastisjeve të emigracionit në vendet e punës atje.

Trump mbrojti vendimin e tij për këtë hap të rrallë, duke thënë se trupat ishin të nevojshme për të përmbajtur trazirat, pavarësisht kundërshtimeve nga zyrtarë lokalë dhe shtetërorë që i konsideronin të panevojshëm.