Gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën pasi një aeroplan është rrëzuar në brigjet e shtetit amerikan të Misisipit të martën, ka njoftuar Roja Bregdetare e SHBA-së.
Aeroplani i tipit “Cessna 210” ishte nisur nga New Orleans drejt Fort Myers në Florida, sipas të dhënave të faqes për gjurmimin e fluturimeve FlightAware.
Sipas raportimit të BBC, kontakti me aeroplanin u humb rreth orës 15:45, ndërsa më vonë ai u rrëzua në Gjirin e Meksikës, në zonën mes Pascagoula dhe ishullit Horn.
Zëdhënësi i Rojës Bregdetare, Juan Ros, bëri të ditur se zhytësit gjetën trupat e katër të rriturve dhe dy djemve, të moshës 8 dhe 10 vjeç, brenda kabinës së aeroplaniT.
Ekipet e shpëtimit kishin zhvilluar kërkime për disa orë, ndërsa fillimisht kishin gjetur vetëm tri jelekë shpëtimi, një gomone shpëtimi dhe kabinën e aeroplanit duke lundruar mbi ujë.
Koordinatori i operacionit të shpëtimit nga Roja Bregdetare, komandanti Trevor Blount, tha se ky nuk ishte rezultati që kishin shpresuar, por falënderoi të gjitha institucionet për bashkëpunimin që mundësoi gjetjen e shpejtë të personave në bord dhe njoftimin e familjeve të tyre.


