Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nominuar Jared Isaacman për të drejtuar Administratën e Aeronautikës dhe Hapësirës, e njohur ndryshe si NASA-n.
41-vjeçari është një astronaut privat, miliarder dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Elon Musk. Isaacman ka fluturuar në hapësirë dy herë në misione të rregulluara nga programi i tij Polaris, një përpjekje duke përdorur anijet e SpaceX dhe kostumet hapësinore të kompanisë për të kryer fluturime plotësisht private në orbitën e Tokës.
“Jared do të drejtojë misionin e NASA-s për zbulim dhe frymëzim, duke i hapur rrugën arritjeve novatore në shkencën, teknologjinë dhe eksplorimin e Hapësirës”, tha Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.
Zgjedhja e Trump për NASA-n erdhi muaj më herët se tranzicionet e kaluara presidenciale pasi Musk, CEO dhe themeluesi i SpaceX, ka përdorur afërsinë e tij me presidentin e zgjedhur për të diskutuar misionet në Mars dhe çështje të tjera të eksplorimit të hapësirës nga SpaceX.
Trump mori pjesë në testin e gjashtë të Starship të SpaceX në Teksas muajin e kaluar.
Dy administratorët e fundit të emëruar të NASA-s ishin ish-politikanë. Shefi i parë i NASA-s i Trump, ish-kongresmeni i Oklahomas, Jim Bridenstine, nisi programin Artemis dhe e bindi Kongresin të rriste buxhetin e agjencisë për ta financuar atë. Biden emëroi ish-senatorin amerikan Bill Nelson nga Florida për të drejtuar NASA-n.