Lajme

Tri orë takim mes Sindikatës së Policisë dhe ministrit Sveçla

12/20/2023 20:24
nga:N K

Brenda një muaji, njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës protestuan para Qeverisë.

Njësitë elitare të policisë, zyrtarë të thjeshtë policor dhe hetues të departamenteve kërkuan kategorizimin e shtesave dhe rrezikshmërisë.

E në lidhje me këto kërkesa, dy javë më pas foli ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.

Ai tha se gjatë së mërkurës do të takohen me kryetarin e sindikatës së policisë dhe do i shikojnë mundësitë.

“Ne do të kemi një takim, ndër takimet e shumta që unë dhe drejtori i Policisë kemi me sindikatën e PK-së ashtu siç kemi edhe me sindikatat e institucioneve të tjera që ne udhëheqim, me këtë rast ne do të bisedojmë me ta edhe lidhur me këto kërkesa dhe pastaj do të shohim se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur për të bërë”, tha Sveçla.

E pas këtij takimi që zgjati më shumë se tre orë, detaje dha kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Zeqiri tregoi që janë dakorduar që këto kërkesa të analizohen në detaje nga MPB-ja dhe në takimin e ardhshme të vendosen se cilat do të kenë prioritet.

“Disa nga kërkesat e tyre janë, Ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare të jetë i njëjtë me Ligjin për FSK’në, sigurimin jetësor dhe rritjen në fondin e buxhetit të Policisë, caktimi i një shume apo mjete financiare për shkallën e invaliditetit, shujta ditore për të gjithë pjesëtarët, përkujdesja për mirëqenien e për familjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët kanë rënë në krye të detyrës zyrtare”, tha Zeqiri.

Njësitet elitare të PK-së kanë protestuar para Qeverisë ku kanë kërkuar plotësimin e disa kushteve./tëvë1