Sporti

Tri ndeshje zhvillohen sot në Superligë, vëmendja tek derbi i zjarrtë Gjilani-Drita

11/25/2021 09:15
nga:Lorik J

Xhiroja e 15’të e Superligës së Kosovës vazhdon sot me tri përballje shumë interesante.

Padyshim se vëmendja më e madhe është tek derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës, që luhet nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra e Ismet Munishit luan si vendas në këtë duel. Gjilani dhe Drita kanë pikë të barabarta në kreun e tabelës, andaj fitorja është imperativ për të dyja ekipet.

Ndeshje tjetër mjaft intersante është edhe ajo mes Drenicës dhe Llapit që zhvillohet në “Bajram Aliu”.

Drenica kërkon këndelljen pas tri humbjeve radhazi, kurse Llapi synon të vazhdojë formën e mirë në Superligën e Kosovës.

Në Suharekë, zhvillohet dueli mes Ballkanit dhe Malishevës, poashtu me fillim nga ora 13:00.

Ballkani synon të rikthehet tek fitorja pas humbjes nga Llapi, kurse Malisheva udhëton për rezultat pozitiv, që të përmirësojë pozitën në renditjen tabelare.

/GazetaBlic Sport