I akuzuari R.R, është dënuar me tre muaj burgim me kusht, për akuzën se në mars të 2019-ës, e ka kanosur me vrasje të dëmtuarën A.R (kunatën e tij), pas mosmarrëveshjes që kjo e fundit kishte me burrin e saj I.R, i cili dyshonte se e njëjta po e tradhton.
Një vendim të tillë e ka marrë të hënën gjykatësi Nexhat Aliu, i cili ka njoftuar se dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse R.R, nuk kryen vepër penale në afat verifikimi prej 16 muajve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, e dëmtuara A.R, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit më 4 mars 2019, R.R, akuzohej se më 16 shkurt 2019, në Viti, me dashje, me fjalë, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën A.R, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje që e dëmtuara kishte me burrin e saj I.R, i cili ka dyshuar se e njëjta po e tradhton, kunati i saj-i pandehuri R.R, e ka kanosur të dëmtuarën duke i thënë: “nëse e vërtetoj që e ke tradhtu vëllanë tim, kam me të vra ty dhe babain tënd”.
Me çka, thuhet se i pandehuri me veprimet e tij tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë.
Me këto veprime, R.R, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185 , paragrafi 1 të Kodit Penal.


