Sporti

Trajneri i ri i Napolit, tri alternativa për De Laurentiis

11/13/2023 11:21
nga:E K

Rudi Garcia nuk do të jetë më trajner i Napolit. Presidenti De Laurentiis i ka komunikuar vendimin e shkarkimit menjëherë pas ndeshjes së humbur ndaj Empolit në shtëpi, teksa tashëm mungon vetëm zyrtarizimi i klubit napolitan.

Kampionët në fuqi të Italisë kanë vendosur të shfrytëzojnë ndërprerjen dy javore të kampionatit për të sjellë një trajner të ri, teksa emrat që qarkullojnë aktualisht janë tre.

Më i madhi ndër ta është padyshim Antonio Conte, që më herët ka pranuar se do të dëshironte të drejtonte Napolin, megjithatë tekniku i mirënjohur italian nuk joshet nga ideja e uljes në pankinë në mes të sezonit.

Ndërkohë, një tjetër emër që ka fituar pikë shumë orët e fundit është kroati Igor Tudor, i cili është i papunë pas largimit nga Marsellie në verë, ku bëri mjaft mirë.

Kroati e njeh mirë kampionatin italian pasi ka punuar më herët te Verona, ku ka bërë shumë mirë, ndaj shihet si një alternativë bindëse. Një tjetër alternativë është edhe Fabio Cannavaro, i cili gjithsesi ka një eksperiencë më të paktë dhe nuk ka provuar asnjë pankinë në Serinë A.

Vendimi i De Laurentiis pritet të merret brenda javës së ardhshme, në mënyrë që trajneri i ri të ketë disa ditë kohë për të implementuar idetë e tij në ekip.