Trajneri i ekipit të La Fioritas, Oscar Lasagni thotë se FC Ballkani është favorit për ndeshjen e raundit të dytë kualifikues për Conference League.
La Fiorita, ekipi nga San Marino e mirëpret FC Ballkanin të martën me fillim nga ora 20:45.
Oscar Lasagni, trajneri i ekipit të La Fioritas thotë se Ballkani është favorit, por lojtarët e tij do të bëjnë të pamundurën ndaj ekipit kosovar.
“Nuk mendoj se është një avantazh që luajmë ndeshjen e parë në shtëpi. E dimë që në fillim se po luajmë kundër një ekipi që është favorit. Sigurisht që do të bëjmë çmos për t’i vënë ata në vështirësi. Ne luajmë vetëm finalet në këtë stadium, kështu që nuk mendoj se do të na sjellë dobi as kjo. Është një fushë shumë e madhe dhe me bar, ndërsa ne jemi mësuar të luajmë në sintetikë. Megjithatë, është një stadium që mund të stimulojë lojtarët dhe shpresojmë që të ketë edhe një atmosferë të mirë”, tha fillimisht trajneri Oscar Lasagni për “GazetaBlic Sport”.
Skuadra e La Fioritas nuk ka akoma asnjë fitore në garat evropiane, pavarësisht se garon qe 8 vite në kualifikuese.
Lasagni thotë se fitorja do të arrihet shpejtë – por realisht po përgatitet për një ndeshje të mirë ndaj Ballkanit. Ai poashtu tha se në këtë raund të garave luajnë ekipet profesioniste, kurse ata nuk janë një e tillë!
“Jam i sigurt se herët a vonë do të arrijmë të fitojmë një lojë në garat evropiane. Ne u afruam shumë në raundin preliminar të Champions League dhe mendoj se merituam shumë më tepër se ai rezultat. Në raundin e dytë skuadrat që takohen janë profesioniste, ndërsa ne nuk jemi. Do të doja të them që shpresojmë të fitojmë, por të jem rael po përpiqemi të bëjmë një ndeshje të mirë. Mendoj se Ballkani favorit”, vazhdoi 50 vjeçari.
Në fund, trajneri 50 vjeçar theksoi se ka shikuar video të ekipit të Ballkanit dhe i kanë pëlqyer disa lojtarë – teksa ndeshjen e parë ndaj Zalgiris në Prishtinë e përshkruan si të shkëlqyer.
“Unë i njoh ata, kam parë shumë video të tyre. Është një ekip i mirë, shumë agresiv. Kundër Zalgiris, në ndeshjen në shtëpi, ata zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer. Në ndeshjen e kthimit mund të kenë qenë më pak agresiv. Ata kanë shumë lojtarë të rëndësishëm dhe luajnë me ritëm të lartë. Shpresojmë të kemi një lojë të mirë”, përfundoi ai.
Kujtojmë se ndeshja e kthimit mes Ballkanit dhe La Fioritas do të luhet në Prishtinë me 26 korrik.
/GazetaBlic Sport
Katër gola të shënuar, 55 të pranuar, statistikat e La Fioritas në Evropë!


