Sporti

Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala optimist për sezonin e ri në Superligën e Kosovës: “Mbijetesa nuk është objektiv i vështirë me grupin që kemi krijuar”

08/15/2023 19:00
nga:E K

Sezoni i ri në Superligën e Kosovës filloi në fundjavën e kaluar.

Në xhiron e parë u zhvilluan katër ndeshje, kurse ndeshja mes Gjilanit dhe Fushë Kosovës nuk u zhvilua, shkruan GazetaBlic Sport.

Ekipi i sapo promovuar në Superligën e Kosovës nuk arriti të shijoi menjëherë Superligën, megjithatë në xhiron tjetër do të kenë përballë skuadrën e Malishevës ku do të luajnë në udhëtim me datë 19 gusht.

Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala për “GazetaBlic Sport” u shpreh optimist për sezonin e ri në Superligën e Kosovës duke thënë se me lojtarët që ka në dispozicion mbijetesa nuk do jetë synim i vështirë.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Ndeshja e parë na ka prishur pak ekuilibrin për shkak se ne jemi përgatitur që me datën 12 me fillu. Të gjitha proceset në fazën parapërgatitore i kemi organizuar duke menduar që do nisim stinorin me datën 12 gjë që na ka dëmtuar shumë. E kemi organizuar ekipin që të kemi paraqitjen e parë në Superligë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj Malishevës“, tha fillimisht Shala.

“Synimet janë që të jemi sa më lartë në tabelë. Viti i parë gjithmonë është objektiv mbijetesa. Duke e parë grupin dhe përgatitjet mendoj që nuk do jetë e vështirë mbijetesa, por do të synojmë që të kemi renditje tabelare sa më të mirë“, shtoi Shala.

“Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët, me lojtarët që kam pasur në dispozicion nga viti i kaluar, por edhe me përforcimet e reja pasi e kanë forcuar shumë grupin, është krijuar një grup shumë i fortë, një atmosferë shumë e mirë, puna po shkon shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur për këtë“, përfundoi trajneri i Fushë Kosovës për “GazetaBlic Sport”.