Lajme

Tmerr, edukatorja rreh barbarisht të miturën në një kopësht privat në Tiranë, i thyen këmbën

11/06/2023 22:35
nga:G B

Në redaksinë e emisionit investigativ “Stop” ka denoncuar një prind, i cili pretendon se vajza e tij është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët” në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në datën 1 Nëntor 2023 dhe si pasojë, e vogla është me këmbë të thyer.

Prindërit e vajzës janë njoftuar nga kopshti në orën 15:00 kur dyshohet se dhuna ndaj të miturës ka ndodhur rreth orës 10:20 të mëngjesit.

Denoncuesi: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”. Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”. U nisën në pediatri dhe më mori nusja direkt në telefon dhe më tha që po ikim në pediatri. Kur shkova, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze. Më pas morëm letrën e hyrjes që ta kontrollojë mjekja dhe kur mjekja pa tha “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”. Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialist të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze.

Sabri Hoxha, ekspert mjekoligjor: Grafia është tregues i një thyerje të kofshës së majtë, të kockës femorale. Është një thyerje me zhvendosje, futet tek thyerjet e rënda e cila ka nevojë për ndërhyrje, por është në varësi se si e vlerësojnë mjekët specialistë në rastin konkret.

“Stop” ka siguruar pamje filmike që tregojnë se edukatore Lina ushtron dhunë ndaj vajzës së vogël.

“Emisioni Stop ka siguruar pamjet filmike të kopshtit “Stinët”, këtu jemi tek dhoma e vizatimit të këtij kopshti. Ajo që dyshohet është se rreth orës 10 të mëngjesit, diçka ka ndodhur me vajzën 3-vjeçare. Nuk dimë nëse ka qenë aksident apo dhunë e ushtruar nga personeli, por ajo që dimë është se vajzës 3-vjeçare i është thyer këmba. Kjo është edukatore Lina. Nga pamjet kuptojmë se diçka nuk shkon me të. Ajo është e tensionuar, ku për disa minuta rri me kokë ulur vetëm në dhomën e vizatimit.”