Sporti

Theu hundën në ndeshjen ndaj Prishtinës, Ergon Hyseni: Jam mirë, Endrit Krasniqi më kërkoi falje për dëmtimin – do kthehem shpejt

04/17/2023 16:53
nga:Lorik J

Futbollisti i Ferizajit, Ergon Hyseni u dëmtua rëndë në ndeshjen e xhiros së fundit ndaj Prishtinës që u zhvillua në kryeqytet.

Mbrojtësi i njohur kosovar, Hyseni theu hundën pas një dueli me futbollistin e Prishtinës, Endrit Krasniqi, me ç’rast u zëvendësua dhe u dërgua menjëherë në QKUK.

Hyseni kreu me sukses operimin, teksa tani thotë se ndihet mirë dhe nuk ka dhimbje.

“Momentalisht jam mirë, pasi që tani dihet që kam bë intervenimin. Mirëpo ato çastet se çka ndodhi në fushë nuk ishin të mira, sapo jam rrëzuar në tokë e kam pa që kam frakturë dhe kam kërku ndërrimin dhe prej aty jam dërguar në QKUK, ku edhe kam marrë trajtimin e duhur”, tha fillimisht Ergon Hyseni për ‘GazetaBlic Sport’.

Mbrojtësi poashtu zbulon se atë e ka kontaktuar edhe futbollisti i Prishtinës, Endrit Krasniqi i cili ia shkaktoi dëmtimin.

“Të them të drejtën më kanë kontaktuar nga FC Prishtina pas këtij lëndimi që kam pasur. Kam folur me zyrtarin e klubit, Kushtrim Sopa dhe me vet Endritin Krasniqin i cili më ka shkruar dhe më ka kërkuar falje për demtimin që ka ndodhur”, zbuloi Hyseni.

Në fund ai tha se shpreson të kthehet shpejtë dhe ta ndihmojë ekipin e tij në objektivin që kanë këtë stinor.

“Nuk e di saktësisht se kur do kthehem sepse është heret akoma, mirëpo besoj që do të ndodhë shumë shpejt dhe normalisht shpresoj që në ket sezon të kem edhe disa paraqitje”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport