Lajme

Testi i Maturës dhe shpërndarja në rrjete sociale/ Qehaja: Administratorët dhe MASHT-i janë përgjegjës

07/07/2024 12:49
nga:N K

Testi Shtetëror i Maturës dhe Testi i Arritshmërisë në vendin tonë, si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve, vazhdimisht po përcillet me parregullsi. Nxënësit e klasave të dymbedhjeta arrijnë të kopjojnë në testin e maturës, test ky i cili i matë njohuritë e mësimeve tre vjeçare në këtë cikël mësimor. Ky test viteve të fundit shpërndahet me masë të madhe në grupe dhe faqe në rrjetet sociale.

Në një prononcim për GazetaBlic, eksperti i arsimit Rinor Qehaja, ka treguar për shpërndarjen e testit të Maturës në rrjete sociale dhe kalueshmërinë e tij në Kosovë.

“Çfarëdo të jetë kalueshmëria e testit të maturës, përderisa ka raportime të ripërsëritura për keq administrim atëherë padyshim që cenohet në tërësi validiteti i rezultatit të testimit”, tregoi ai.

Shpërndarja e testeve në rrjete sociale, sipas Qehajës është përgjegjësi e dikasterit të Arsimit dhe administratorëve që kanë për detyrë mbikëqyrjen e qendrave ku mbahet testet.

“Rigoroziteti slektiv, ku një klasë mirë mbikëqyret e tjetra jo, përtej që prezanton rezultate jo të besueshme, është mbi të gjitha padrejtësi ndaj nxënësve. Kur kësaj i shtohet shpërndarja e testit online, me nxënës që kane qasje në telefon në qendër testuese, atëherë padyshim që llogaridhënia bie mbi administruesit dhe MASHT-in. Nëse të njëjtat janë duke u përsëritur ndër vite, atëherë kjo nënkupton që procesi duhet të ristrukturohet në tërësi për administrim më të mirë – në të kundërtën i njëjti debat na përcjell nga viti në vit”, përfundoi eksperti i arsimit Rinor Qehaja për GazetaBlic.

“Testi PISA në kundërshtim me atë se çka mësojnë nxënësit në Kosovë”

Testi i Arritshmërisë në Kosovë/ Ahmeti: Është e lehtë të parandalohet kopjimi i nxënësëve nga komisionerët

Disa grupe të cilat janë hapur me qëllim të ndihmesës për maturantët në rrjetin social Facebook.

 

 

Në raportimin e Komisionit Shtetëror të  Maturës raportohet se në këtij testi i janë nënshtruar rreth 19 mijë maturantë në 151 qendra të testimit me gjithsej 1500 klasa. Këtë vit kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MASHTI, 1500 administrues dhe 1500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së.

Javë më parë, drejtori ekzekutiv i organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti ka theksuar për GazetaBlic se ligji i provimit të maturës ka lehtësim të sanksioneve për personelin që ndihmojnë kopjimin e nxënësëve gjatë testit të maturës.

“Ligji për Provimin e Maturës parasheh sanksione krejtësisht të lehta për administratorët që tolerojnë ose kontribojnë në kopjimin e nxënësve. Në anën tjetër, janë të pakta rastet kur administratorët janë sanksionuar sipas këtyre neneve, por edhe kur janë sanksionuar gjithherë janë dhënë dënimet minimale të parapara në ligj. E krejt kjo na sjellë këtë rezultat ku, fenomeni i kopjimit është rrënjosur në sistemin arsimor të Kosovës, duke u shndërruar në kulturë kolektive mashtruese, pasi për fat të keq në këtë fenomen, përveç nxënësëve, përfshihen prindërit, të afërmit e tjerë, miqtë dhe mësimdhënësit meqë e konsiderojnë ndihmesë për nxënësit. Pothuajse çdo vit, Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), mjaftohet me raportet e administratorëve të cilët natyrshëm raportojnë se në klasët përkatëse nuk ka pasur kopjim, apo parregullsi të tjera, duke injoruar tërësisht reagimet dhe informatat e Organizatave të Shoqërisë Civile dhe mediave të cilat monitorojnë testet gjatë ditëve kur këto zhvillohen”, deklaroi Ahmeti.

/GazetaBlic/