Lajme

Tërheqja e Trustit- PDK me kërkesë të ndryshohet rendi i ditës, Komisioni nuk ngutet për procedim

05/25/2022 10:53
nga:G C

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar që të ndryshohet rendi i ditës në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe që ndryshimi i Ligjit për Fondin Pensional të kalojë për shqyrtim nga pika e tetë e rendit të ditës në të dytën. Kërkesa nuk është miratuar.

Propozimi është bërë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku që mori përkrahjen edhe të LDK-së. Kundër kanë votuar gjithë deputetë të partisë në pushtet.

Pro tërheqjes së mjeteve janë deklaruar të gjitha partitë e opozitës. PDK, LDK e AAK.

Më 9 mars, Bekim Haxhiu nga PDK pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Tërheqja prej 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.

Ndërkaq edhe tërheqjen e kursimeve pensionale, qytetarët e shohin ndihmesë të madhe për të përballuar trendin e rritjes së çmimeve të konsumit.

Të enjten pritet të mbahet protestë para Kuvendit për lejimin e tërheqjes së mjeteve financiare nga Trusti.