Lajme

“ Të gjithë kundër nesh”, Krasniqi komenton deklaratën e Kurtit

11/24/2021 22:48
nga:A. R.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se një nga faktorët e humbjes së VV-së në zgjedhjet lokale ka qenë se sipas tij, të gjithë janë bërë bashkë kundër partisë së tij.

Krasniqi deklaroi se kjo nuk qëndron, pasi sipas tij, rezultati i zgjedhjeve lokale ka qenë një mesazh nga qytetarët.

“Qasja jonë s’ka qenë protagoniste. Zgjedhjet lokale janë për qytetarë e jo për politikanë. Më vjen keq nëse vërtetë e beson një gjë të tillë kryeministri. Ai është i pari që duhet ta lexojë mesazhin elektoral në mënyrë të drejtë. Qytetarët kanë votuar ndryshe sepse e kanë refuzuar qeverisjen e koncentruar vetëm tek një njeri. Nuk kemi qenë bashkë sepse kemi garuar veç e veç. Të gjithë kanë qenë vetë në garë, kryeministri s’e ka fituar asnjë garë, të tjerët kanë fituar diçka”, shprehet Krasniqi.

“LDK-VV kanë qenë bashkë në Dragash. VV ka qenë bashkë me AAK-në në Kamenicë. Ne s’kemi pasur vija të kuqe. VV na ka kërkuar ndihmë në Rahovec. Nuk ka pasur ndarje të tilla. Nuk i shërben kryeministrit një arsyetim të tillë se nuk qëndron. Ne në vitin 2019 i kemi humbur zgjedhjet, por e kemi lexuar mesazhin që duhet të dalim në opozitë. Ka qenë mesazh i qytetarëve që PDK duhet të qëndrojë në opozitë”, tha ai në Kanal10.