Lajme

Takimi pozitë-opozitë: Qeveria të koordinohet me SHBA, situata në veri ndryshon pas 21 nëntorit

11/08/2022 13:23
nga:Genita C

Mëngjesi i sotëm bëri bashkë pozitë e opozitë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ftoi në takim udhëheqësit e partive opozitare parlamentare, ku sipas këtyre të fundit asgjë nuk shkoi siç kanë pritur dhe Qeveria nuk tregoi asnjë plan për situatën dhe zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka kontaktuar me analistin poltik, Arton Demhasaj i cili thotë se takimi mes tyre është gjë pozitive dhe duhet të ketë më shpesh, por këto takime të jenë përmbajtësore dhe tematike.

“Kur ka takime të tilla mes liderëve të partive politike është mirë, konsultimet mes tyre mund të arrihet edhe ndonjë konsensus për situatën për të cilën po ballafaqohet sot Kosova. Në kuadër të kësaj, mendoj që takime të tilla duhet të jenë edhe më të shpeshta, por normalisht të jenë tematike dhe përmbajtësore, jo vetëm sa me thënë që po mbahen takime të tilla”, tha Demhasaj.

Demhasaj ka folur edhe për deklarimet e liderëve opozitarë,ku thotë se pajtohet që veprimet e Kurtit të jenë të koordinuara me SHBA-të, përndryshe në të kundërtën do të cenohet siguria e vendit.

“Sa i përket deklarimeve të liderëve opozitar, edhe unë mendoj që duhet veprimet e Qeverisë së Kosovës, të jenë të koordinuara me SHBA-të, pra nuk guxohet të merren veprime që nuk janë të koordinuara me ta, sepse çdo veprim i mundshëm mundet të cenojë sigurinë në Kosovë dhe kjo i shkon për shtati Serbisë”, tha Demhasaj.

Demhasaj paralajmëron se në ditën kur do të fillojë faza e gjobitjes mund të ketë acarim edhe më të madh në veri të Kosovës.

“Po i afrohemi datës 21 nëntor, kur përfundon edhe faza e qortimit dhe fillon faza e gjobitjes dhe me fillim e bazës së gjobitjes mund të ketë acarim edhe më të madh të situatës në veri, prandaj është e domosdoshme marrja e një veprimi, veprim i koordinuar me Amerikën, veprimet në kryevete cenojnë sigurinë”, përfundon Demhasaj.

Duke u bazuar në veprimet e fundit të serbëve që jetojnë në Kosovë, dorëheqjet e tyre nga institucionet e vendit, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se duhet të instalohet një tryezë e bisedimeve mes pozitivës dhe opozitës.

“Për shkak të zhvillimit të fundit në vend, sidomos pas ndikimit të drejtëpërdrejtë të Serbisë, që serbët e veriut të tërhiqen nga institucionet e vendit, ata të cilët u patën integruar me kogja mund dhe angazhim të madh në kuadër të dialogut të Brukselit, është mirë që të instalohet një tryezë e bisedimeve mes pozitës dhe opozitës”, thotë Raci.

Raci në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në momentin kur liderët opozitar ftohen në takim nga kryeministri për veriun, duhet të mos deklarohen për medie sepse sipas tij kemi të bëjmë me çështjen e interesit nacional.

“Është mirë që kryeministri po i fton në takim dhe është mirë që lidërt opozitar të rezervohen nga komunikimet mediale, pas këtyre takimeve, sepse kemi të bëjmë me çështjen e interesit nacional dhe nuk janë politika ditore dhe veprime serioze. Ajo çfarë është me rëndësi është që faktori ynë politik, të jetë i unifikuar përballë Serbisë, për ta përmbyllur këtë fazë që jemi tani”, thotë Raci.

Raci thotë se deklarata e Krasniqit, Abdixhikut dhe Haradinajt pas takimit me Kurtin ishin të ngutshme.

“Kjo është fazë kritike dhe deklaratat e liderëve opozitarë janë të ngutshme sepse në pjesën veriore është situatë e tensionuar dhe kërkohet reagim serioz i përbashkët pozitë-opozitë”, tha Raci.

Njohësi i çështjeve politik, Dritëro Arifi thotë se ka shumë pyetje që Qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje, përfshirë këtu sitatuën në veri, dialogun e targat.

Arifi për Gazeta Blic tha se kjo është edhe arsyeja, që opozita ka ngelur në takim vetëm duke e dëgjuar Albin Kurtin sepse nuk ka përgjigje të sakta për asgjë.

“Takimi i fundit i Kurtit me opozitën nuk shkoi mirë sipas këtyre të fundit, për shkak se vec ka qenë e paralajmëruar një gjë të tillë, që Qeveria ka bërë veprim jo mirë të planifikuar, sepse kemi shumë pyetje pa asnjë përgjigje. Opozita ka ngelur në takim vetëm duke e dëgjuar Albin Kurtin sepse nuk ka përgjigje të sakta për asgjë.Një politikë dhe një vendim i pa planifikuar mirë prodhoi jashtëzakonisht shumë probleme për Qeverinë e Kosovës, pavarësisht se kush është fajtori në këtë rast”, tha Arifi për GazetaBlic.

Krasniqi pas takimit me Kurtin: S’jam i sigurt nëse mund ta mbajë situatën nën kontroll, e ka përkrahjen e PDK-së

Haradinaj tregon pse lëshoi takimin: Kurti mbante ligjeratë, nuk sqaronte pse ka prishur raportet me Amerikën

Abdixhiku: Qeveria e ka mbështetjen e LDK-së, për aq kohë sa ka koordinim me ndërkombëtarët