Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj thotë se i rëndësishëm është fakti nëse miratimi i Deklaratës për të zhdukurit do të zbatohet në praktikë.
Miftaraj në një prononcim për GazetaBlic theksoi se, familjarët e personave të zhdukur nuk e meritojnë që të luhet me ndjenjat e tyre.
Sipas Miftarajt, presioni duhet të jetë te BE-ja dhe te Serbia që të zbulohen varrezat masive në Serbi.
“Përderisa deklarata e miratuar po komentohet në masë të madhe në aspektin juridik dhe përgjegjësisë së shtetit serb lidhur me personat e zhdukur me dhunë, po aq e rëndësishme është fakti nëse kjo deklaratë dhe zotimi në Bruksel do të zbatohet në praktikë apo do të jetë një ndër zotimet e rradhes i cili nuk do të prodhoj ndonjë efekt. Familjarët e personave të zhdukur nuk e meritojnë që të luhet me ndjenjat dhe familjarët e tyre të zhdukur, andaj presioni tani duhet të jetë si tek BE ashtu edhe te Serbia që kjo deklarate te jap frytet e saj dhe të zbulohen varrezat masive në Serbi dhe të zbardhet fati i personave të zhdukur”, tha Miftaraj për GazetaBlic.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi teksa ka folur për takimin Kurti-Vuçiq në përgjithësi, thotë se ishte me dy episode.
Arifi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, episodi negativ kishte të bënte me çështjen e Asociacionit.
“Takimi Kurti-Vuçiq ka pasur dy episode, njëra ka qenë pozitive deri në një nivel dhe e dyta ka të bëjë me Asociacionin që nuk u arritë ndonjë çështje e caktuar, por kjo ka qenë shumë e pritshme sepse është me rëndësi që është hapur debati për Asociacionin dhe Qeveria nuk po thotë më që nuk do ta bëjë”, tha Arifi.
Arifi e vlerëson Deklaratën për të zhdukurit të zbehtë, por sipas tij është pozitive në esencë.
“Sa i përket deklaratës për të zhdukurit, është e zbehtë, por pozitive në esencë sepse në fund të ditës i shërben çështjes humane dhe po shpresojmë që t’i jap përgjigje personave të zhdukur me dhunë, fatkeqësisht kjo termonologji nuk është e rregulluar mirë në deklaratën e tillë”, tha Arifi.
“Në aspektin humanitar, shpresojmë që Serbia do të jetë serioze në hapjen e dokumenteve dhe arkivave që të merr përfundim çështja e të zhdukurve gjatë luftës”, shtoi Arifi për GazetaBlic.


