Lajme

Deklarata për të zhdukurit, Baraliu thotë se s’ka shpresë nga Serbia: Do të duhej edhe një plan zbatim për vendet e dyshuara

05/03/2023 19:48
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një prononcim për GazetaBlic ka folur rreth Deklaratës për të zhdukurit, që është miratuar dje në Bruksel, në takimin Kurti-Vuçiq.

Baraliu thotë se pas këtij vendimi, Kosovën dhe Serbinë i pret zbatimi i menjëhershëm i të gjitha pikave që janë dakorduar deri më tani.

“Të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, i pret zbatimi i asaj deklarate që është thjesht një komunikim dakordues mes palëve i pa nënshkruar, nuk është as marrëveshje. Është dakorduar që moti, por ka mbetur pezull për ditën e djeshme që të dakordohet”, tha Baraliu.

Baraliu shtoi se, nuk mund të kemi shpresë tek Serbia sepse deri më tani asnjë dakordim dhe asnjë marrëveshje nuk e ka përmbushur.

“Ajo çfarë është dakorduar duhet të zbatohet sa më parë nga të dyja palët, nëse gjykohet sipas kohës së kaluar, Serbia nuk ka përmbushur asnjëherë asnjë marrëveshje dhe asnjë dakordim. Pra, nuk mund të shpresohet shumë”, tha Baraliu.
Baraliu theksoi se, krahas kësaj deklarate do të ishte mirë që të kishte edhe një plan zbatim i pranuar nga të dyja palët për vend-dyshimet me të zhdukurit e luftës.

“Do të ishte mirë që kësaj radhe vërtetë, t’i qaset veçanarisht Serbia, por edhe Kosova problemit, sepse është fjala për plagën më të mëdha të familjeve dhe jo vetëm atyre që i kanë humbur më të dashurit e tyre, ku presin me dekada përgjigje. Është një plagë që kullon gjak për të gjithë qytetarët e Kosovës, prandaj duhet seriozisht të bëhet një plan zbatim i miratuar dhe i pranuar nga të dyja palët, konkretisht nga vend-dyshimet edhe në Kosovë edhe në Serbi, atje ku ka më shumë është kjo e fundit, mbi 27 vende të dyshimta, por, edhe në Kosovë ata të Beogradit mendojnë që janë 7-9 vende, të eksplorohet dhe të del në pah e vërteta sepse me të vërtetë e përjetojmë rëndë të gjithë”, tha Baraliu për GazetaBlic.

PSD-ja tregon çka po e pret vendin pas takimit të djeshëm në Bruksel: Kurti barazoi Kosovën me Serbinë