Lajme

Takimi i ambasadorit të SHBA në Serbi dhe Vuçiqit për Kosovën

08/09/2023 09:23
nga:Genita C

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë diskutuar në Beograd për Kosovën dhe marrëdhëniet në mes të SHBA dhe Serbisë.

“Një bisedë e sinqertë dhe e hapur me ambasadorin Christopher Hill. Tema kryesore është përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve politike dhe ekonomike serbo-amerikane”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.

Ai ka shtuar se është biseduar edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe procesin e dialogut me Kosovën.

Zëri i Amerikës rikujton se ky është takimi i parë zyrtar mes Hillit dhe Vuçiqit që kur SHBA vendosi sanksione ndaj kreut të BIA-s, Aleksandar Vullin, gjë që është shpallur më 11 korrik.