Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohen pas disa muajsh sërish në Bruksel, për dialogun në mes të dyja vendeve.
Ata të dy kanë marrë ftesë për takim nga Bashkimi Evropian, derisa shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia ta pranojnë planin evropian.
Ndërsa, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se duhet të përmbushen obligimet e marra, përfshirë Asociacionin.
Lidhur me takimin dhe pritjet nga ai, njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se nuk dihet nëse takimi do të mbahet pasi Vuçiq ka kërkuar fillimisht krijimin e Asociacionin, ndërsa Kurti ka kërkuar që të ketë garanci për njohje nga Serbia.
“Së pari ende nuk dihet se a do të mbahet ky takim sepse palët janë të padakorduara për këtë, sepse presidenti Vuçiq ka kërkuar së pari të krijohet asociacioni e më pas të ketë takim, kurse kryeministri Kurti ka kërkuar që të ketë garanci për njohje të Kosovës nga Serbia”, thotë ai.
Sipas Sadikut, nëse takimi mbahet do të ketë pikë kthese në dialog dhe do të veprohet konkretisht për zbatimin e planit franko-gjerman.
“Nëse takimi në fjalë mbahet, palët do bëjnë një pikë kthese në dialog, si dhe do veprojnë konkretisht, në ndërmarrjen e hapave për zbatimin e nismës franko-gjermane për normalizim e raporteve Kosovë-Serbi”, deklaron Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/
Paralajmëron Tahiri: Rreziku është që Serbia ta mbajë Kosovën në një konflikt të ngrirë


