Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit (MKT) dhe të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Hungari u pritën sot në një takim nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë.
Takimi u zhvillua ndërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MKT-së, z. Bislim Bislimi, dhe z. Gábor Csaba, zëvendëssekretar shtetëror përgjegjës për diplomacinë kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë.
Në takim morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Hungari, z. Delfin Pllana, si dhe Drejtoresha e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MKT, znj. Brikena Mulliqi.
Diskutimet u përqendruan në thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve dhe në nevojën për të lehtësuar zbatimin e marrëveshjeve sektoriale në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Përfaqësuesit hungarezë shprehën gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në proceset e integrimit evropian që ndërlidhen me këto fusha, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të diplomacisë kulturore në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Palët diskutuan mundësitë për zhvillimin e projekteve dhe programeve të përbashkëta, me synim forcimin e shkëmbimeve kulturore, promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane dhe kontributin në përafrimin evropian të Kosovës.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishin hartimi i një kalendari të përbashkët kulturor ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë; mbështetja e botimeve, konferencave dhe prezantimeve kulturore e artistike; përshtatja e programeve të bursave të studimit me nevojat për profile profesionale në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore; si dhe promovimi i trashëgimisë arkeologjike të Kosovës në Hungari.
Takimi riafirmoi rëndësinë e diplomacisë kulturore si instrument për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve, profesionistëve dhe komuniteteve kulturore të të dy vendeve.


