Lajme

Tahiri në Kuvendin e Shqipërisë: E ardhmja jonë është e bashkuar

11/27/2022 11:20
nga:Astrit Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Ai është shprehur se e ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërisë është e bashkuar.

Tahiri tha se dy vendet kanë misione dhe qëllime të përbashkëta.

“E ardhmja jonë është e bashkuar, bashkim në zhvillim, bashkim në progres, bashkim me zemër, bashkim me vlerat tona të përbashkëta europerëndimore, të afërt me njëri-tjetrin , të hapur ndaj fqinjëve, si dhe një aleancë e përhershme me ShBA-të dhe të integruar në NATO dhe në familjen e madhe evropiane, kjo është rruga jonë, kjo është e ardhmja jonë, ky është misioni ynë, ky është qëllimi ynë i përbashkët”, u shpreh ai.

Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve, Tahiri i ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Ai tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e të tjerët po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Ajo çfarë ka nisur nga Rilindësit tanë në Prizren me 1878-tën, është përcaktuar si trajektore në Vlorë me 1912-tën dhe është përmbyllur në Prekaz me 1998-tën. Rrugë e gjatë, e vështirë, plot sakrificë, plot lavdi, plot shpresë për të arritur këtu ku jemi sot, që të flasim nën kulmin e Parlamentit të Shqipërisë Evropiane e Demokratike, si përfaqësues të Kosovës demokratike e të pavarur, që e di dhe e ndjek rrugën e vet euro perëndimore”, tha ai.

“28 nëntori i Skënderbeut si themel, 28 nëntori i Ismail Qemajlit si projekt, 28 nëntori i UÇK-së dhe Adem Jasharit si akt përmbyllës, janë tre 28 nëntor brenda një përpjekje që i kanë dhënë vulë të drejtës sonë historike”, deklaroi ai.