Sporti

“Sylvinho apo De Biasi?”, Duka jep këtë përgjigje!

10/08/2023 17:44
nga:E K

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka bërë një zgjedhje mes trajnerit të tanishëm të Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, dhe ish-trajnerit, Gianni De Biasi.

Duka pati lavde për të dy trajnerët, por tha se De Biasi kishte arritur sukses më të madh për faktin se kishte kualifikuar “Kuqezinjtë” në Kampionatin Evropian “Euro 2016”.

Trajneri italian do të mbahet mend gjatë te shqiptarët për atë sukses të madh dhe historik.

“Njerëzit nuk janë lehtësisht të krahasueshëm, gjithsekush ka karakteristikat e veta. Të dy kanë kontribute shumë të mira në ekipin kombëtar, por rezultatet deri tani i ka më të mira De Biasi, sepse e ka realizuar objektivin për të shkuar në Evropian, ndërsa Sylvinhon duhet ta shohim. Sylvinho ka filluar duke kuptuar shqip, sepse jeton në Tiranë, punon gjithë kohën në Tiranë dhe lëviz vetëm në momentet që duhet të kontaktojë apo takojë futbollistët”, tha Duka në emisionin “Më lër të flas”.

Kujtojmë se Shqipëria, e udhëhequr tani nga Sylvinho, është në rrugë të mirë për të siguruar edhe një tjetër kualifikim në Evropian, konkretisht në “Euro 2024”.