Skuadra e Dukagjinit është “këndellur” pas një starti jo të mirë në sezonin pranveror në Superligën e Kosovës.
Dukagjini i Armend Dallkut pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, ka marrë dy fitore radhazi, fillimisht ndaj Feronikelit, e më pas ndaj kampionit aktual, FC Prishtinës, shkruan GazetaBlic Sport.
Stefan Nikolic, sulmuesi i Dukagjinit thotë se skuadra e tij mori besim pas këtyre fitoreve dhe tashmë po përmirësohen çdo herë e më shumë.
“Po, skuadra mori besim pas këtyre dy fitoreve dhe mendoj se ne luajmë gjithnjë e më mirë në çdo ndeshje”, tha fillimisht Nikolic për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas ai tregoi se futbolli kosovar nuk dallon shumë me atë malazez, andaj ai u adaptua shpejtë.
“Liga e Kosovës është e ngjashme si në Malin e Zi, kështu që nuk ishte e vështirë të adaptohesha”, vazhdoi ai.
Në fund, Nikolic foli edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Ulpianës, e cila cilësohet si “derbi i mbijetesës”.
“Lojë shumë e rëndësishme për ne, mund të premtoj se do të japim 100% dhe besoj në ekipin tonë, mendoj se e meritojmë të jemi më lartë në renditje dhe shpresoj se do të sjellim tre pikë në Klinë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport



