Ministrja Donika Gërvalla ka thënë se janë duke bërë përgatitje që deri në fund të vitit të dorëzojnë aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Ajo ka thënë se Kosova e meriton këtë vend dhe se do të angazhohet vetë për këtë çështje.
Lidhur me këtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm dhe se Kosova është i vetmi vend që nuk ka aplikuar për statusin kandidat.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej të arrinin progresin e nevojshëm e konkret, lidhur me të fituarit e statusit të vendit kandidat. Natyrisht, që ky proces do të duhej pashmangshëm të jetë i mbështetur dhe me një vëmendje të veçantë ngase përkundër vullnetit, është proces i gjatë dhe mjaft i mundimshëm politikisht. Aktualisht, Kosova është i vetmi vend që nuk ka aplikuar për këtë status, si kandidat potencial për Union Europian, e për këtë duhet një punë e përbashkët për të përgatitur aplikimin si procedurë dhe përmbajtje për anëtarësim në UE”, vlerëson ai.
Sipas tij, Kosova s’ka ndonjë pengesë për aplikim por që kërkohet angazhim në dy çështje.

“Kosova nuk ka ndonjë pengesë për sa i takon dorëzimit të shprehjes së interesit për statusin e vendit kandidat, ngase ka të bëjë me përcaktimin politik të Kosovës për anëtarësim në Union Europian. Por se angazhimi kërkohet në dy rrugë, e para, të jetë konsekuent dhe profesional ndërlidhur me reformat mbi administratën publike, pavarësinë e gjyqësorit, aprovimin e legjislacionit si dhe kultivimin e demokracisë; e dyta, të konsolidojë e forcojë subjektivitetin ndërkombëtar të mëvetësisë”, potencon Pula për Gazeta Blic.
Se sa janë gjasat që Kosova të pranohet si vend kandidat në BE, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare thekson se aplikimi zyrtarisht për statusin e kandidatit është hap historik për Kosovën.
“Brukseli zyrtar padyshim do t’i kushtojë vëmendje të veçantë marrëdhënieve ndërshtetërore të Kosovës me Serbinë. Prandaj, Unioni Europian, ka një detyrë për krijimin e rrethanave për të reflektuar dhe për të vepruar mbi standardet e njëjta të vendosura bazuar në vlerat e përbashkëta Europiane, dhe kjo mbetet sfida e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në UE. Por, po ashtu, aplikimi zyrtarisht për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në UE, padyshim që është një hap historik për vendin tonë, duke rikonfirmuar edhe një herë përqafimin e vlerave të përbashkëta evropiane si dhe vullnetin e popullit të Kosovës për t’iu bashkuar familjes së UE-së”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/


