Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka komentuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ndalur sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe për të përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Evropës.
Ai beson se këto vendime thelluan izolimin ndërkombëtar të Moskës dhe nënvizuan paligjshmërinë e sulmit ushtarak ndaj Ukrainës.
“Kur bëhet fjalë për agresionin e Putinit kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas, ai tashmë ka humbur moralisht dhe tani po edhe në baza ligjore. Izolimi i tij ndërkombëtar po rritet,” tha Stano.
Në një konferencë të rregullt për shtyp në Bruksel, Peter Stano deklaroi se “urdhri” i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë drejtuar Rusisë për të ndalur operacionet ushtarake në Ukrainë është “i detyrueshëm sipas ligjit ndërkombëtar” dhe se Gjykata nuk vërtetoi pretendimet e Federatës Ruse për gjenocidi në Ukrainë, pretendim ky i cili u shfrytëzua nga Moska për të ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, vendimi i gjykatës mund të interpretohet qartë si një refuzim i qartë i justifikimit të Putinit për pushtimin e Ukrainës”, tha Stano.
Duke folur për vendimin e Këshillit të Evropës për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë në atë organizatë, Stano vlerëson se Rusia me agresion ndaj Ukrainës ka shkelur parimet themelore të Statutit të Këshillit të Evropës, Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.
Si pasojë, Stano përmend faktin se pa anëtarësimin në Këshillin e Evropës, qytetarët rusë nuk do të mund të llogarisin më në mbrojtjen e garantuar nga Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ose t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Ky është një tjetër kufizim i të drejtave të qytetarëve rusë, i shkaktuar nga politika e pamatur e Putinit”, tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së përsëriti thirrjen e tij ndaj Federatës Ruse që menjëherë t’i kthehet zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare.


