Lajme

Stano: “KOSTT, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt, BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen çështjet e hapura”

10/07/2022 09:45
nga:Astrit Gashi

Brenda dy muajve, do të duhej që të zbatohej udhërrëfyesi për marrëveshjen për energjinë, arritur në kuadër të procesit të dialogut Kosovë –Serbi.

Një dakordim i tillë ka ndodhur me 21 qershor 2022. Por, kompania “Elektrosever” ka shkelur të gjitha afatet të përcaktuara me këtë udhërrëfyes.

Në lidhje me këtë çështje, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, me 5 tetor, pasi raportoi në Komisionin Parlamentar për Integrime, paralajmëroi se për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, kompanisë ‘Elektroserver’ mund t’i merret licenca.

Ai tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka dy javë kohë që të diskutojë më palët lidhur me marrëveshjen për energjinë, të arritur me Serbinë për furnizimin e veriut me rrymë.

“ZRrE ka dy javë që të diskutojë me palë që të shikojë se a ka zgjidhje apo duhet të merret vendimi për suspendimin e licencës”, tha Bislimi.

“Ka mospërmbushje nga Elektroserveri dhe ka hezitime nga ana e KEDS-it dhe duhet të qartësohen brenda 10 ditësh”.

Në lidhje me këtë çështje, RTKlive ka pyetur Bashkimin Evropian, si ndërmjetësues, se si do të veprojë në këtë rast.

Peter Stano, zëdhënës i kryesor i shefit për Politikë të Jashtme e të Sigurisë, Joseph Borrel, deklaron se “ Bashkimi Evropian, po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve sa i përket Udhërrëfyesit për Energjinë, në kapacitetin e vet si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të dialogut”.

“KOSTT, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt”, thotë. “Ata raportojnë gjithashtu rregullisht në BE dhe SHBA”.

Sa i përket vonesës për zbatim të dakordimit mes palëve në Bruksel, Stano deklaron se kjo po ndodhë për shkak të aspekteve teknike, të cilat: -“BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë”.

“BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen çështjet e hapura”, thotë Stano.

Në pyetjen nëse BE ka ndonjë masë sanksionuese ndaj palëve që nuk zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, Stano deklaron se:-“BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve por nuk është arbitër”.

“Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve për udhërrëfyesin për energjinë u takon palëve”.

Satno thotë se Brukseli është duke punuar me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një mënyrë, që do të çonte në kapërcimin e vonesës aktuale, në mënyrë që të zbatohet marrëveshja.

Me 21 qershor, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur të pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.