Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masa të reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Ekzekutivi në mbledhjen e sotme, mori vendim që prej datës 20 gusht, hyrja në klubet e natës dhe ahengjet familjare të bëhet vetëm me certifikatë të plotë të vaksinimit kundër COVID-19, ose njërën dozë të saj. Krahas kësaj, klubeve të natës iu zgjat veprimtaria e punës deri në orën 03:00 e pasmesnatës. Me gjithë rritjen e rasteve me COVID-19, bartja e maskës në ambientet e hapura për qytetarë vazhdon të mos jetë obliguese.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë i konsideroi të nevojshme këto masa, derisa paralajmëroi se të njëjtat mund të ndryshojnë varësisht prej gjendjes epidemiologjike.
Vitia: Këto dëshmi duhet pasur për të hyrë në ambientet e klubeve të natës dhe ahengjeve
“Nga data 20 gusht 2021 deri më datën 10 shtator 2021, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen ahengjet e ndryshme, grumbullimet, tubimet masive, si festivale, koncerte dhe të tjera që kanë kapacitet mbi 100 persona dhe organizmi i tyre aktiviteteve lejohet vetëm nëse klientëve pjesëmarrës posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme si: Certifikatën e vaksinimit të plotë, ose marrjen të të paktën një dozë kundër COVID-19. Testin PCR negativ, jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë… personat përgjegjës të këtyre aktiviteteve janë të detyruar të caktojnë një person, i cili do të kontrolloj posedimin e të paktën një prej dëshmive të theksuar”, tha ai.
Sipas tij, në rast që rekomandohet për masa të reja, ato do të ndryshohen, ani pse vendimi është deri më 10 shtator.
Vitia: Edhe pse vendimi është deri më 10 shtator, mund të ketë masa të reja
“Edhe pse vendimi është në fuqi deri më datën 10 shtator, secili rekomandim i ri që vjen nga ekspertët në bazë të analizave të situatës epidemiologjike që do të bëhet, do ta analizojmë dhe në bazë të tyre mund të ketë ndryshime në këto masa edhe gjatë kësaj periudhe. Qoftë me masa shtesë, apo përfshirje të sektorëve të tjerë në këto masa”, u shpreh Vitia.
Vitia e konsideroi shqetësuese edhe rastet e reja me COVID-19, pasi tha se 80 përqind e rasteve të reja janë me variantit Delta dhe të atyre që se kanë pasur virusin, e që nuk janë interesuar për vaksinim.
Vitia: Varianti Delta dominon mbi 80 përqind të rasteve të reja me COVID-19
“Sipas analizave të IKSHPK-së ky variant dominon prej mbi 80 përqind të rasteve me COVID-19 në rastet e reja. Kjo na detyron të gjithëve të rrisim në maksimum kujdesin dhe t’i zbatojmë në përpikëri masat”, tha ai.
Për këtë arsye, Vitia bëri thirrje për vaksinim, derisa tha se kanë shtuar kapacitetet mjekësore për t’i vaksinuar qytetarët.
Vitia: Prishtina do t’i ketë 50 ekipe për vaksinim
“Tridhjetë ekipeve që i kemi në Prishtinë para disa ditëve i janë shtuar edhe katër ekipe të tjera, ndërsa në ditët në vijim do t’i shtojmë edhe 16 ekipe me qëllim që t’i bëjmë 50 ekipe në Prishtinë. Edhe në komunat tjera sipas kërkesave do t’i rrisim kërkesave. Ndërsa në nivel vendi, aktualisht janë diku përmbi 300 ekipe të vaksinimit që po punojnë për vaksinimin e popullatës”, tha ai.
Ndërkohë, ekzekutivi ndau mbi 80 mijë euro për pagesat e 50 infermierëve të angazhuar në procesin e vaksinimit.