Lajme

‘Përplasja Qeveri-Presidencë’, Spahiu: Osmani do të duhej të reagonte edhe për deklaratën e Liburn Aliut se ‘Kosova është shtet i përkohshëm’!

05/31/2024 16:07
nga:Y I

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si të paqëllimshme moskordinimin e Qeverisë me presidenten Vjosa Osmani, rreth letrës që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte dërguar në Këshillin e Evropës se do ta dërgojnë në fund të majit një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese.

Sipas Konjufcës arsye e moskoordinimit ka qenë fakti se Presidentja e vendit ka qenë jashtë vendit.

“Kuvendi, Presidenca, unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur me ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri. Jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe koordinohet, pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëjë diçka të qëllimshme kundër Presidentes. Ka qenë thjesht teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësi që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndajë të gjitha me Presidencën dhe Presidenca e ka pas reagimin e saj. E keni parë e ky reagim vjen me siguri si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi do duhej të ishte ndarë” ka deklaruar Konjufca.

Në lidhje me deklaratën e Konjufcës pati një reagim  të shpejtë nga Presidentja, Vjosa Osmani.

Këtë deklaratë të Konjufcës, e para e shtetit e ka quajtur qesharake, duke thënë se në kohën moderne ekzistojnë mundësitë e shumta të komunikimit siç është telefoni.

E në lidhje me këtë situatë të krijuar ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë, ka folur për “Gazeta Blic” profesori i shkencave politike nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu.

Spahiu tha se reagimi i Osmani në lidhje me letrën e Gërvallës ka qenë me vend por se e njëjta do të duhej të reagonte edhe për gjëra të tjera joserioze që ka bërë Qeveria e Kosovës.

Ai tha se e njëjta nuk ka reaguar pas deklaratës së Liburn Aliut se ‘Kosova është shtet i përkohshëm’.

“Si duket ka ndonjë telashe që ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme. Në fakt reagimi i Osmani lidhur me letrën e Gërvallës ka qenë me vend sepse ka qenë një gjë joserioze, mirëpo ka pas gjëra shumë më joserioze dhe më të rëndësishme për Kosovën që ka bërë qeveria e Kosovës dhe Osmani nuk ka reaguar.Psh nuk ka reaguar për deklaratën e Liburn Aliu se ‘Kosova është shtet i përkohshëm’, është dashtë të reagoj por ka heshtur. Tani po reagon për një gjë shumë më të vogël e si duket ka ndonjë telash tjetër” tha Spahiu në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Konjufca e quan të paqëllimshëm përplasjen e Osmanit me Qeverinë

Osmani e ashpër me Konjufcën dhe Qeverinë: Oferta për KiE-n, ndryshoi zotimet e liderëve për Asociacionin