Sporti

Skandaloze: Sigal Prishtina vjen me komunikatë, dyshohet se një person i afër me Trepçën tentoi t’i korruptonte dy gjyqtarët e huaj

04/22/2023 15:26
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Sigal Prishtinës ka reaguar me një komunikate, duke deklaruar se ka ngritur kallëzim penal ndaj një personi, i cili dyshohet se tentoi të korruptonte gjyqtarët para ndeshjes me Trepçën.

Sipas klubit, ata kanë zbuluar se një person i ka futur në veturën mercedes dy gjyqtarët e huaj, duke ofruar para në këmbim që referimi të jetë në anën e “Minatorëve”, përcjell GazetaBlic Sport.

Sipas tyre, gjyqtarët e kanë pranuar këtë gjë dhe për këtë arsye nuk kanë referuar në ndeshje.

Ja postimi i klubi:

 

NJOFTIM

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të respektuar sportdashës e adhurues të basketbollit,

Falë syçelësisë dhe informatave nga njerëz të ndershëm të qytetit tonë, si dhe falë zgjuarsisë së njerëzve të devotshëm të klubit tonë, pas disa dyshimesh të bazuara, ju informojmë se më datën 20 prill, saktësisht ditën e zhvillimit të ndeshjes së tretë gjysmëfinale të pllejofit mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, kemi zbuluar skandalin më të madh të basketbollit në Kosovë që nga ekzistimi i tij dhe kemi parandaluar dëmin më të madh sportiv dhe etik ndaj klubit tonë, adhuruesve të shumtë të klubit më të trofeshëm shqiptar, si dhe ndaj gjithë atyre dashamirëve e sportdashësve të cilët e përcjellin me pasion klubin e tyre të zemrës duke besuar në integritetin e garës dhe ndershmërinë e personave zyrtarë.

Fatkeqësisht për këta dashamirë e sportdashës të pafajshëm e besnikë, e fatmirësisht për të mirën e sportit dhe integritetin e garës, ne në bazë të dyshimeve të bazuara, të konfirmuara nga informatat dhe të vërtetuara nga videoinçizimet, e më pas të pranuara nga vetë akterët e përfshirë, kemi zbuluar dhe pastaj kemi bërë kallëzimin e veprës penale ndaj një personi, i cili shihet duke i futur në veturën e tipit Mercedes dy referët grekë të ndeshjes, Zacharis dhe Vardaris, duke i ofruar ryshfet për manipulimin e ndeshjes mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, në favor të mysafirëve. Me të vërtetuar rastin kemi njoftuar drejtuesit e FBK-së, të cilët pasi kanë kuptuar rastin kanë biseduar me referët e lartpërmendur dhe ata e kanë pranuar ngjarjen. Kjo është edhe arsyeja se pse këta referë nuk kanë arbitruar ndeshjen.
Pasi që kemi zbardhur rastin atë e kemi denoncuar pranë organeve kompetente të Policisë së Kosovës para fillimit të ndeshjes dhe presim që sa më shpejtë të hapen procedurat penale ndaj të gjithë personave të përfshirë.

Të dashur qytetarë të vendit tonë,

Ne jemi të përkushtuar maksimalisht për arritjen e rezultateve sportive vetëm me mjete sportive dhe në asnjë mënyrë tjetër. Kemi përgjegjësi edhe profesionale edhe morale edhe qytetare ndaj të gjithëve e sidomos ndaj shikuesve të ndershëm dhe fëmijëve të pafajshëm që vinë për ta parë një ngjarje sportive të bukur e për ta përkrahur ekipin e zemrës që ai të fitojë ndershëm dhe assesi me metoda korruptive.

Për hir të së ardhmes ftojmë organet kompetente në bazë të ligjit të mobilizohen që ta shpëtojnë sportin dhe basketbollin, t’i dënojnë të gjithë të përfshirët dhe t’jau ndalojnë përjetësisht praninë në ngjarjet sportive ku duan ta korruptojnë drejtësinë dhe ndershmërinë.

Në ndërkohë do t’i drejtohemi edhe organizatës më të madhe të basketbollit, FIBA-s, sekretarit Zagklis, si dhe Federatës Greke të Basketbollit, që secila prej tyre t’i ndërmarrë masat e parapara për ndëshkimin dhe parandalimin e dukurive më të këqija të sportit.

Të dashur tifozë, të dashur Plisa,

Ju premtojmë se klubi ynë do të bashkëpunojë me të gjitha organet dhe do të vazhdojë të jetë shembull i arritjeve të ndershme sportive. Vetëm me nder dhe moral kanë shije fitoret dhe trofetë, në të kundërtën ato s’kanë vlerë, sepse keqbërësit, hileqarët dhe të korruptuarit bëhen protagonistët e suksesit të pandershëm sportiv.

PËR FITORE, ME DJERSË DHE ME NDER, DERI NË FRYMËN E FUNDIT, PRISHTINË!