Sporti

Skandali me gjyqtarët para ndeshjes Prishtina – Trepça bëhet lajm edhe në Greqi, flet Fetahu: Kemi kërkuar që gjithçka të zbardhet sa më shpejt

04/24/2023 12:40
nga:L J

Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka folur për mediat greke në lidhje me skandalin që ndodhi me gjyqtarët grek para gjysmëfinales së tretë mes Prishtinës dhe Trepçës në “Play Off”.

Skuadra e Prishtinës ka denoncuar përmes faqes së saj në Facebook një tentativë për të korruptuar gjyqtarët grekë, Zaharis dhe Kardaris, pikërisht para derbit me Trepçën, përcjell GazetaBlic Sport.

Presidenti i federatës së Kosovës, Arben Fetahu, ka shpjeguar  për SDNA-në se si erdhi deri tek vendimi për zëvendësimin e arbitrave grekë, duke paralajmëruar zhvillime të reja.

“FBK (Federata e Basketbollit të Kosovës) është njoftuar të enjten, më 20 prill, se disa nga zyrtarët e caktuar për të gjykuar në serinë gjysmëfinale kanë pasur një takim të paautorizuar me palë të treta, pa njoftim paraprak dhe informim të FBK-së. Pas konfirmimit të informacionit të një kontakti dhe takimi të tillë të paautorizuar, pavarësisht se nuk kishte prova për qëllime ose manipulime të mundshme, FBK vazhdoi duke zëvendësuar gjyqtarët për pjesën e mbetur të serisë gjysmëfinale, në mënyrë që të shmangte çdo mundësi të ndikimit, ose manipulimi të rezultateve të lojës dhe me qëllim ruajtjen e integritetit të konkurrencës sonë, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë e paprekur nga faktorë të jashtëm negativ”, tha fillimisht Fetahu për SDNA.

“FBK ka njoftuar zyrtarisht autoritetet përkatëse për rastin dhe ka kërkuar që sa më shpejt të zbardhen rrethanat e këtij takimi të paautorizuar, me qëllim parandalimin e dukurive të tilla në të ardhmen.Unë personalisht i kam njoftuar përfaqësuesit e katër skuadrave gjysmëfinale për arsyet e ndryshimit të arbitrave dhe kam kërkuar mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre për veprimet tona. Marrëveshja me pjesëmarrjen e arbitrave ndërkombëtarë do të vazhdojë edhe brenda javës”, përfundoi ai për mediumin grek.

Kujtojmë se Prishtina dhe Trepça takohen të premten në kryeqytet, ku fituesi do të luajë në finale me Pejën.

/GazetaBlic Sport