Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se oferta e Kurtit ndaj PDK-së dhe LDK-së për të propozuar tre emra për President nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e vonuar për të shpëtuar një situatë që vetë e ka krijuar, raporton GazetaBlic.
Lekaj në një prononcim për GazetaBlic, thekson se kjo kërkesë nuk vjen si rezultat i një vullneti të sinqertë për konsensus, por si pasojë e presionit politik dhe afateve kushtetuese që po mbarojnë.
Ai u shpreh se një qasje e tillë do të duhej të ishte ndërmarrë shumë më herët, nëse do të kishte pasur seriozitet dhe përgjegjësi institucionale. Sipas tij, veprimet e fundit tregojnë mungesë vizioni dhe menaxhim të dobët të procesit nga ana e qeverisë.
“Oferta e Kurtit ndaj PDK-së dhe LDK-së për të propozuar tre emra për President nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e vonuar për të shpëtuar një situatë që vetë e ka krijuar. Kjo kërkesë nuk vjen si rezultat i një vullneti të sinqertë për konsensus, por si pasojë e presionit politik dhe afateve kushtetuese që po mbarojnë. Nëse do të kishte pasur seriozitet dhe përgjegjësi, një qasje e tillë duhej të ishte ndërmarrë shumë më herët, jo në momentet e fundit kur vendi ndodhet përballë një krize institucionale. Kjo tregon mungesë vizioni dhe menaxhim të dobët të procesit nga ana e Qeverisë”, tha ai.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje, ai vlerësoi se realiteti aktual politik nuk jep shumë shpresë për konsensus, për shkak të mungesës së besimit mes palëve dhe mungesës së një klime bashkëpunimi.
Lekaj konsideron se vendi ka më shumë gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, si pasojë e dështimit për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
“Sa i përket mundësisë për marrëveshje, realiteti politik aktual nuk jep shumë shpresë. Besimi mes palëve është i ulët dhe veprimet e deritanishme nuk kanë krijuar klimë bashkëpunimi. Për këtë arsye, është shumë më e mundshme që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, si pasojë e dështimit për të ndërtuar një marrëveshje të qëndrueshme për zgjedhjen e Presidentit”, theksoi ai.
Ai shtoi se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi ata që kanë pasur mandatin për të udhëhequr vendin duke theksuar se pasojat e kësaj situate i bart kryeministri Kurti.
“Në fund, përgjegjësia për këtë situatë bie mbi ata që kanë pasur mandatin për të udhëhequr dhe nuk kanë arritur të sigurojnë stabilitet institucional në kohën e duhur. Që i bije që z. Kurti bartë pasojat e kësaj situate të krijuar”, përfundoi Lekaj për GazetaBlic.


