Lajme

“S’ka një ditë bardhë, një ditë zi”, analistët rreth deklaratës së kryeministrit për Lajçakun: Albin Kurti i dha goditje krejt Bashkimit Evropian

09/18/2023 18:55
nga:G C

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se sot kryeministri Kurti i dha formës se si është bërë deri tash dialogu Kosovë-Serbi.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic thekson se, deklarata e Kurtit për Lajçakun është një goditjen edhe për Bashkimin Evropian.

“Qasja e Kurtit karshi Lajçakut, apo më mirë të themi propozimet e rënda që u bën sot atëherë kjo vetëm na jep me e kuptu që Kurti i dha fund formës se si është bërë deri tash dialogu mes Lajçakut, Kosovës dhe Serbisë”, tha Arifi.

“Kjo është edhe goditje për krejt Bashkimin Evropian, sepse ata e kanë autorizuar Lajçakun si përfaqësues të dialogut Kosovë-Serbi. Mos të harrojmë, se Lajçaku dhe Borrelli kanë edhe 4-5 muaj mandat, ku kjo i bie që dialogu nuk do të ketë rezultat të madhë nëse nuk ka implikim të elementeve politike, siç mund të jenë Gjermania, Franca dhe SHBA-ja”, shtoi ai.

Arifi shprehet skeptik rreth përparim të dialogut Kosovë-Serbi, ku për këtë fajësoi kryeministri Kurti dhe qasjen e tij.

Ai paralajmëroi se nga ajo deklaratë, ndikim negativ mund të ketë tërë Republika e Kosovës, jo vetëm Kurti personalisht.

“Përndryshe, nuk shoh që mund të ketë përparim në dialog derisa të përfundojnë zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Qasja e Kurtit për Lajçakun para tri viteve ka qenë ndryshe, sot gati në përfundim të mandatit është pak më ndryshe, kjo po i bie që Kurti nuk ka konsistencë si politikan në qasjen ndaj partnerëve ndërkombëtar”, tha ai.

“Nuk mundet një ditë bardhë e një ditë zi, duhet konsistencë përndryshe kjo mund të prodhojë edhe elemente negative për tërë Republikën e Kosovës, jo vetëm për Kurtin personalisht”, përfundoi Arifi për GazetaBlic.

Qëndrim të njejtë kishte edhe Fidan Ukaj, i cili i tha Gazetës Blic se kryeministri Kurti duhet t’ia adresonte këto shqetësime partnerëve tanë si SHBA-të, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera aleate të Kosovës.

Ukaj për GazetaBlic se, Kurti duhet të kërkojë takime urgjente me këta aleatë, t’u shpjegojë situatën reale.

“Mendoj se kryeministri Kurti në vend që të akuzonte lehtësuesin ndërkombëtar në konferenca mediatike, duhet t’ia adresonte këto shqetësime partnerëve tanë si SHBA-të, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera aleate të Kosovës, edhe pse fatkeqësisht edhe me këta aleatë kryeministri Kurti nuk është se ka marrëdhënie të mira, dhe ky është një problem serioz, prishja e marrëdhënieve me aleatët dhe garantuesit e shtetit të Kosovës”, tha Ukaj.

“Mendoj se zoti Kurti duhet të kërkojë takime urgjente me këta aleatë, t’u shpjegojë situatën reale, që sipas tij ishte rreshtimi i Lajçakut me Serbinë dhe të marrë këshilla dhe garanci për vazhdimin e këtij dialogu dhe për marrëveshjet aktuale”, shtoi ai.

Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Gjatë një konference për media, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

/GazetaBlic/

Mustafa thotë se Prishtinën s’e fitoi me duar në xhepa: Para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni

Haliti e quan Kurtin “Nostradamus”: Paska parë ëndërr të keqe, le të shkojmë në zgjedhje e kush zhduket vendos qytetari