Lajme

“Sjellja e Qeverisë me sindikatat skandaloze, duhet dialog”- Analistët kritika të forta Albin Kurtit!

09/05/2022 18:48
nga:Y I

Punëtorët e sektorit publik tash e një javë kanë hyrë në grevë.

Të njëjtit po kërkojnë rritjen e rrogave dhe procedimin e shpejtë të “Ligjit për Paga”

Nga Sindikatat po kërkohet dialog për zgjidhjen e kësaj situate por nga Qeveria ende nuk ka një lëvizje në këtë drejtim.

Edhe gjatë ditës së sotme, është përsëritur kërkesa e njëjtë për dialog nga SBASHK por qa ka hasur në “vesh të shurdhër të Qeverisë”.

Analisti dhe publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, duke parë situatën e krijuar me nëpunësit publik e sidomos me mësimëdhënësit e ka cilësuar skandaloze sjelljen e Qeverisë.

Maliqi tha për “Gazeta Blic” se Qeveria në mënyrë direkte apo indirekte duhet me i hap negociatat me Sindikatat dhe jo të sillet me arrogancë.

“Qeveria duhet me i hap negociatat në mënyrë direkte apo inderekte, nuk duhet të sillet me arrogancë dhe me deklarata në distancë. Sa i përket kërkesës së arsimtarëve për shtesën prej 100 eurosh, është vlerësimi i tyre dhe duhet me e respektu si vlerësim. Qeveria duhet me e mbrojt pikpamjen e vet, por jo kështu mos me hy në negociata, mua po më duket skandaloze sjella e saj” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”

Se duhet të dialogohet sa më parë me sindikatat, po deklaron edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Shemsi Jashari.

Jashari tha për “Gazeta Blic” se në vend të injorimit dhe përbuzjes, Qeveria duhet të zgjedhë thirrjen për dialog.

“Qeveria Kurti, duhet të kthehet në tavolinën e dialogut social, me sindikatat duke mos paragjykuar drejtuesit e SBASHK-ut. Kryeministri duhet të analizoj mundësit financiare të buxhetit,pastaj nevojën e mbështetjës së sektorit të arsimit, pas inflacionit dhe shtrenjtimit të çmimeve të artikujve esencial gjithashtu insistimit të sindikatave.
Në vend të presionit,injorimit dhe përbuzjës, qeveria duhet ta zgjedh thirrjen për dialog, takimin me drejtuesit e zgjedhur të sindikatave dhe të tentoj ti bind, e jo ti detyroj të binden”

Jashari theksoi se viktima kryesor në këtë mes është fëmija, ç’ka nuk duhet të shfrytëzohet për betejat mes dy palëve.

‘Injorimi i kërkesave të punëtorëve nga një qeveri e majt, është paksa e quditshme dhe vetëm sa e thellon problemin.Nuk mundet qeveria të injoroj, sulmoj dhe përdor metoda presioni ndaj sindikatave dhe punëtorëve ngase është jodemokratike dhe nuk duhet lejuar.Viktima kryesore është nxënësi-fëmija, çka nuk duhet të shfrytëzohen për betejat e tyre te nënshtrimit të pales tjetër” deklaroi ai për “Gazeta Blic”

Një ditë më parë, kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj deklaroi për “Gazeta Blic” se nuk kanë patur asnjë komunikim me Qeverinë në lidhje me kërkesat e tyre .

Jasharaj deklaroi se komunikimi i vetëm ka qenë ai me presidenten e vendit, ditën e shtunë.

“Nuk kemi patur ndonjë takim me Qeverinë këto ditë, përveq takimit që e kishim të shtunen me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Ne kemi kërkuar që presidentja ta përdorë pozitivisht autoritetin e saj si njeriu i parë i Kosovës që të ndikojë tek pala tjetër që të pranojë dialogun, që të ulemi dhe bashkarisht që të bëjmë zgjidhje. Presidentja insistonte dhe kërkonte nga ne që ta kemi një angazhim për fillimin e mësimit’

Ai u shpreh i bindur se në se ulen të dialogojnë mund të gjendet një zgjidhje.

“Ne jemi në pritje, urojmë që Presidentja të vazhdojë me angazhimin dhe uroj që qeveria Kurti ta ndryshojë pak qëndrimin ndaj sindikatave dhe të dialogojmë. Duhet të ulemi sepse nëse bëjmë diçka të tillë jam i bindur se mundësitë për të arritur marrëveshje të pranuar ekzistojnë, por duhet edhe vullnet i Qeverisë” deklaroi ai për Gazeta Blic.

Nga i gjithë spektri politik në vend i është bërë thirrje Qeverisë të ulet e të dialogë me sindikatat.

/Gazeta Blic/

 

Ekskluzive|| Lëviz Prokuroria, nis hetim për rastin e tentim sulmit ndaj Rrahman Jasharajt

Jasharaj, SBASHK: Greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona!

LDK: Qeveria të nis menjëherë dialogun me sindikalistët dhe të procedoj Ligjin për Pagat